Më shumë operatorë biznesi dhe produkte jo ushqimore do të jenë në fokus të kontrolleve zyrtare sa i takon sigurisë nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut.
Në strategjinë ndërsektoriale për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikëqyrjen tregut 2024-2030 të publikuar në Fletoren Zyrtare, parashikohet rritja dhe zgjerimi i fushës së kontrollit dhe mbikëqyrjes në treg të produkteve joushqimore në përputhje me legjislacionin ekzistues, ku përpos inspektimeve për zbatimin e kërkesave ligjore nga ana e operatorëve ekonomikë për sigurinë e produkteve joushqimore, projektohet rritje e kontrolleve fizike treguese dhe laboratorike.
Kontrollet do të fokusohen tek produkte që janë inspektuar në vitet në vazhdim, por do të përfshihen edhe grupe produkte të reja që nuk janë inspektuar më parë, por që janë pjesë e fushës së veprimtarisë së ISHMT, siç janë pajisjet e gazit, enët e thjeshta në presion, artikujt piroteknikë, artikujt aerosolë, kimikate, avionët pa pilot etj.
Referuar dokumentit, në fokus kryesor do të jenë edhe inspektimet për sigurinë e ashensorëve, lodrave, instrumentet matëse ligjërisht të kontrolluara, parapaketimet, artikujt e kujdesit për fëmijë etj.
