Procesi i derregullimit, i shpallur vitet e fundit, si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë, për t’i ardhur në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve përmes lehtësimit të procedurave, po vijon me ritme të mira.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, ndau së fundmi në rrjetet sociale miratimin e disa vendimeve nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve.
Këto masa janë pjesë e procesit të derregullimit, do të reduktojë kohën e shpenzuar për procedurat burokratike dhe dokumentacionin e nevojshëm, duke rritur efikasitetin e administratës publike, informoi Ibrahimaj, duke shtuar se kjo iniciativë e ndërmarrë, na afron më pranë objektivit për digjitalizimin e plotë të shërbimeve, duke synuar më shumë transparencë, akses të shpejtë dhe modernizim të shërbimeve të administratës.
Ky është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar përvojën e qytetarëve dhe për të nxitur rritjen e besimit në institucionet publike. Ne po jetojmë në një kohë kur shumë vende e kanë prioritet digjitalizimin e shërbimeve publike, theksoi Ministrja.
Qeveria ka shtuar investimet dhe buxhetet në drejtim të përmirësimit të shërbimeve publike ofruar përmes e-albania. Së fundmi, AKSHI ka hapur një tender disa miliona eurosh për të përmirësuar më tej sistemin.

