Veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve kanë shënuar rritje alarmante gjatë vitit 2025, duke zënë 7,81 % të totalit të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi, nga 5,61 % që ishte ky tregues në vitin 2024. Të dhënat e raportit vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm tregojnë gjithashtu një rritje të ndjeshme të koeficientit të kriminalitetit për këto vepra, i cili arriti në 89,41 procedime për 100,000 banorë në vitin 2025, nga 58,16 që ishte një vit më parë.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 është regjistruar një rritje prej 51,25 % e numrit të procedimeve për veprat penale që lidhen me cenimin e regjimit juridik të tokës dhe ndërtimeve, krahasuar me vitin 2024. Në të njëjtën kohë, procedimet e dërguara në gjykatë janë rritur me 67,74 %. Rritje të fortë kanë shënuar edhe treguesit që lidhen me të pandehurit. Numri i të pandehurve të regjistruar është rritur me 95 %, ndërsa numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë është rritur me 56,48 %. Raporti evidenton gjithashtu se numri i të pandehurve të dënuar nga gjykata është rritur me 8,52 % krahasuar me vitin 2024.
Profili i personave të përfshirë në këto procedime tregon se të gjithë të pandehurit janë madhorë. Prej tyre, 92,44 % janë meshkuj dhe vetëm 7,56 % femra. Në aspektin arsimor, 49,92 % rezultojnë me arsim 9-vjeçar, 44,37 % me arsim të mesëm dhe vetëm 5,71 % me arsim të lartë. Raporti evidenton se 63,37 % e të pandehurve janë të punësuar në sektorin privat, ndërsa 36,63 % janë të papunë.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një shpërndarje pothuajse të barabartë mes zonave urbane dhe rurale. Sipas raportit, 50,58 % e të pandehurve kanë vendbanim në qytet, ndërsa 49,42 % në fshat. Në lidhje me gjendjen gjyqësore, pjesa më e madhe e tyre, 95,31 %, rezultojnë të padënuar më parë. Ndërkohë, 4,52 % janë përsëritës për vepra të ndryshme penale dhe vetëm 0,17 % janë dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Nga ana gjeografike, numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për këto vepra penale është evidentuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila mban 22 % të totalit të procedimeve në shkallë vendi. Pas saj renditen Shkodra dhe Vlora, me nga 11 % secila. Në anën tjetër, numri më i ulët i procedimeve është regjistruar në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë në Gjirokastër dhe Berat, me nga 2 % të totalit kombëtar.
“Ndërtimi i paligjshëm” mbetet vepra penale dominante në këtë kategori. Për vitin 2025, kjo vepër zë 78,66 % të grupit të veprave penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve, megjithëse një vit më parë pesha e saj ishte edhe më e lartë, në 80,89 %. Raporti tregon se procedimet për veprën penale të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal “Ndërtimi i paligjshëm” janë rritur me 47,08 % gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.
Në aspektin e politikës penale, prokuroria ka kërkuar në 97,14 % të rasteve dënim me burg dhe vetëm në 2,86 % dënim me gjobë. Megjithatë, në 85,07 % të rasteve është kërkuar pezullimi i dënimit me burg dhe vendosja e të pandehurit në provë.
Nga ana tjetër, gjykatat kanë vendosur dënim me burg në 98,21 % të rasteve dhe gjobë në vetëm 1,79 %. Po ashtu, në 89,72 % të rasteve gjykata ka pezulluar vendimin e burgimit, duke vendosur të pandehurit në provë. Raporti evidenton gjithashtu se 1,79 % e të pandehurve janë shpallur të pafajshëm nga gjykata./ekofin.al

