Një problem teknik i përkohshëm në sistemin e monitorimit të trafikut ajror të Albcontrol ka sjellë pezullimin për disa minuta të fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi se ndërprerja e përkohshme e fluturimeve u bë si masë sigurie, ndërsa problematika është adresuar menjëherë.
Deri tani: 5 fluturime të anulluara, 1 i riskeduluar për ditën e nesërme, 12 fluturime me vonesa në nisje dhe 3 fluturime të vonuara në ardhje.
Sipas TIA-s, aktualisht po bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin sa më të shpejtë të operacioneve në normalitet. Situata ka shkaktuar vonesa dhe ndryshime në oraret e disa fluturimeve, duke prekur pasagjerët që udhëtojnë nga dhe drejt Aeroportit të Rinasit.
“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet përkatëse dhe kompanitë ajrore, ndërsa po menaxhon pasagjerët e prekur nga vonesat dhe ndryshimet në oraret e fluturimeve”, thuhet në njoftim.
Për përballimin e situatës, TIA bën të ditur se ka angazhuar numrin maksimal të stafit në dispozicion për mbështetjen e operacioneve në terminal dhe menaxhimin sa më të shpejtë të problematikës.
Ekipet e aeroportit janë vendosur në gatishmëri të plotë, ndërsa po punohet për përshpejtimin e rikthimit të operacioneve në normalitet.
TIA u ka bërë thirrje pasagjerëve që kanë fluturime të planifikuara të kontrollojnë rregullisht njoftimet dhe komunikimet e kompanive ajrore përkatëse, për t’u informuar mbi statusin e fluturimit dhe çdo ndryshim të mundshëm të orarit.
Aeroporti thekson se pezullimi i përkohshëm i fluturimeve u ndërmor për arsye sigurie dhe se siguria e pasagjerëve mbetet prioriteti kryesor.
