Laboratorët privatë do të mund të kryejnë edhe testet e shpejtë për COVID-19. Gjithçka përcaktohet në një urdhër të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu, që mban datën 24 shtator 2021, por që është publikuar në Fletoren Zyrtare në datën 1 nëntor. Urdhri specifikon se laboratorët jopublikë tashmë mund të kryejnë edhe testimin e antigenit apo siç njihet ndryshe si testi i shpejtë, por ky test do të mund të kryhet vetëm nga ata laboratorë, që aktualisht janë të njohur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për kryerjen e testimeve molekulare RT-PCR.
Bëhet fjalë për ata laboratorë që kanë përmbushur kriteret e vendosur nga ky dikaster për të kryer testimet molekulare, ndërkohë që sipas të dhënave zyratre deri më tani janë 12 laboratorë që janë të njohur për këtë qëllim. Ligjërisht testi i shpejtë për COVID-19 realizohej vetëm në qendrat shëndetësore publike, teksa aplikimi i tyre nisi në dhjetor të vitit të kaluar, në funksion të rritjes së kapaciteteve të testimit, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit si dhe për të garantuar më shumë shpejtësi dhe akses në testim.
Në strukturat publike të shëndetësisë ai ofrohet falas për qytetarët, të cilët shfaqin shenja të infeksionit, ndërkohë që përgjigja merret brenda 15-25 minutash. Ndërkaq, ndonëse në shumë vende të botës tashmë test ii shpejtë për COVID-19 mund të blihet nga qytetarët në farmaci, ne vendin tonë kjo praktikë nuk është vendosur ende, duke përqëndruar shërbimin vetëm te qendrat shëndetësore e tashmë edhe në laboratorët privatë.