Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit po vijon aksionin për shembjen e objekteve pa leje në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës.
Gjatë ditës së sotme janë prishur 13 ndërtime të paligjshme, sipas njoftimit të IKMT. Ekofin.al mëson se pjesa e aksionit kanë qenë Resort ‘Arbeni”, restoranti “Marina Rodon”, si edhe një sërë objektesh të tjera, duke çuar në 54 numrin e objekteve të shembura.
Një ditë më parë, resort “Arbeni” njoftonte në rrjetet sociale mbylljen e tij, si edhe anulimin e rezervimeve deri në një njoftim të dytë, por pa specifikuar se si do të veprohej me ata persona që mund të kishin realizuar parapagime për rezervimet.

Ekofin.al mëson se aksioni i IKMT vijon edhe me prishjen e resortit pa leje 5,600 m2 të ish-kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Durrës, Ardian Halili, i cili gjithashtu do të përballet me hetime nga SPAK për tre vepra penale. Policia e Durrësit njoftoi se ish-kryeinspektori u kap në flagrancë duke vijuar punimet në kompleksin e tij “Sent Michele Residence”, në fshatin Shetaj të Ishmit, në zonën bregdetare pranë Kepit të Rodonit, i cili sot do të prishet.
Sipas policisë, i gjithë resorti, i përbërë nga 11 kabina të tipit garsoniere, një godinë dykatëshe, një fushë mini-futbolli dhe një pishinë është ndërtuar pa leje që prej vitit 2018. Punimet, theksojnë autoritetet, u zhvilluan pikërisht gjatë periudhës kur Halili mbante funksionin e Kryeinspektorit të IMT-së në Bashkinë e Durrësit, deri në vitin 2021.
IKMT njofton se puna në terren po vazhdon në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, për pastrimin e plotë të territorit dhe mbrojtjen e vijës bregdetare.
Aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje përgjatë gjithë vijës bregdetare po vijon me synimin e rikthimit të hapësirave publike dhe mbrojtjen e territorit. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

