Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon të thyejë rekorde të reja trafiku edhe gjatë vitit 2026, duke konfirmuar pozicionin si aeroporti me rritjen më të shpejtë në rajon dhe një nga më dinamikët në Europë. Sipas shifrave që Ekofin.al ka siguruar nga TIA, gjatë katër muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 3.3 milionë pasagjerë, me një rritje prej 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Paralelisht me zgjerimin e trafikut të udhëtarëve, është rritur edhe numri i lëvizjeve të avionëve. Në periudhën janar-prill 2026, aeroporti ka përpunuar rreth 19.5 mijë lëvizje avionësh, ose 5.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Muaji prill rezultoi më i forti i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit në historinë e aeroportit. Vetëm gjatë prillit 2026, aeroporti ka përpunuar rreth 1.13 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje rekord prej 25.4% krahasuar me prillin 2025. Ndërkohë, numri i lëvizjeve të avionëve arriti në afro 7 mijë, me një rritje prej 26.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të siguruara nga Ekofin.al, ritmet e rritjes gjatë prillit kanë qënë në nivele rekord, teksa në ditët me fluks maksimal janë regjistruar deri në 43 mijë pasagjerë dhe rreth 250 lëvizje avionësh brenda një dite të vetme.
Performanca e muajve të parë të vitit po mbështet edhe projeksionin ambicioz të aeroportit për vitin 2026, ku synohet të arrihet niveli i rreth 13.3 milionë pasagjerëve deri në fund të vitit. Nëse ky objektiv realizohet, Tirana International Airport do të konsolidojë më tej pozicionin si nyja kryesore ajrore e Ballkanit Perëndimor.
Rritja e trafikut po mbështetet edhe nga zgjerimi i kapaciteteve operacionale të aeroportit dhe investimet e vazhdueshme të Grupit Kastrati. Aktualisht po shtohen sportelet e check-in, korsitë e kontrollit të sigurisë, portat e imbarkimit dhe vendqëndrimet për avionët, në prag të sezonit veror që pritet të sjellë një tjetër valë rekord të lëvizjeve turistike dhe ajrore.
Një tjetër tregues i transformimit të aeroportit është krahasimi me periudhën para pandemisë. Sipas të dhënave të TIA-s, prilli 2026 ka rezultuar me 267% më shumë pasagjerë dhe 220% më shumë lëvizje avionësh krahasuar me muajin më të ngarkuar të vitit 2019, që ishte gushti.
Në vitin 2025, Tirana International Airport u rendit në vendin e 51-të mes aeroporteve më të ngarkuara në Europë dhe objektivi për vitin 2026 është hyrja në Top 50 europian, që do të ishte një tjetër rekord historik për aeroportin. /ekofin.al
