Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar një platformë të përbashkët online, ku paraqitet informacion i detajuar në lidhje me stimujt e ofruar në secilin nga vendet për të tërhequr sa më shumë investime.
Kjo është platforma e parë e këtij lloji në rajon, e lançuar në kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe që ofron informacion të detajuar për secilin nga shtetet, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Serbinë.
Platforma është krijuar si një nga masat kryesore të Kornizës Rajonale të Investimeve dhe është realizuar falë një bashkëpunimi shumë të mirë mes agjencive për promovimin e investimeve në vendet e rajonit, ku AIDA ka luajtur një rol të posaçëm për të furnizuar plaformën me të gjithë informacionin e nevojshëm për incentivat që ofron Shqipërinë.
Në një kërkim në platformë, në linkun https://wbiip.rcc.int/home rezulton se Shqipëria ofron 54 incentiva të ndryshme për investimet, në fusha si agrikultura, turizmi, manifaktura, industria automotive, teknologjia, etj.
Nëpërmjet kërkimit, platforma përfshin lehtësitë financiare dhe jo financiare, të ndara sipas llojit dhe sektorëve përkatës.
Platforma ofron një informacion të plotë për investitorët, pasi çdo incentivë shoqërohet me fishën, ku përfshihet baza ligjore, si edhe të dhëna të tjera të detajuara, si kriteret për ta përfituar dhe pikat e kontaktit, ku në rastin e Shqipërisë është AIDA, si referencë kryesore për investirorët e huaj.
Kjo platforma do të përditesohet herë pas here, me një frekuencë 6-mujore, për t’u siguruar që të jetë sa më aktuale dhe me informacion të plotë dhe të rifreskuar. Ajo pritet të jetë një ndihmesë për t’i dhënë më shumë hov investimeve të huaja në rajonin e Ballkanit. /ekofin.al