Digjitalizimi është në qendër të reformave për periudhën 2027–2029, duke e trajtuar atë si një shtyllë kyçe për zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e shërbimeve publike.
Në dokumentin e politikave prioritare 2027-2029, përmes katër reformave të parashikuara, transformimi digjital parashikohet si një proces gjithëpërfshirës që synon ndërtimin e një shoqërie të mbështetur mbi infrastrukturë të sigurt, efikase dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Një nga nismat kryesore lidhet me krijimin e identitetit digjital dhe zbatimin e Portofolit Digjital (Digital Wallet), i cili do të pilotohet fillimisht në të paktën 10 shërbime publike. Reforma synon gjithashtu njohjen ndërkombëtare të nënshkrimeve elektronike dhe përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve të treta të besuara të BE-së, duke hapur rrugën për ndërveprim më të gjerë digjital me vendet e rajonit dhe unionit.
Paralelisht, një tjetër drejtim strategjik është forcimi i sigurisë kibernetike. Autoritetet synojnë përafrimin me Direktivën NIS2 të BE-së, përditësimin e infrastrukturës kritike dhe funksionalizimin e plotë të strukturave kombëtare si CERT-et dhe Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike. Kjo pritet të rrisë ndjeshëm qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve kibernetike, në një kohë kur shërbimet publike dhe ekonomia po digjitalizohen me ritme të shpejta.
Në aspektin e infrastrukturës, dokumenti parashikon zhvillimin e rrjeteve broadband dhe përgatitjen për implementimin e teknologjisë 5G, përmes përmirësimit të bazës ligjore dhe harmonizimit me standardet europiane. Ky investim shihet si themelor për mbështetjen e ekonomisë digjitale dhe rritjen e aksesit në shërbime moderne.
Një tjetër komponent i rëndësishëm lidhet me mbështetjen e bizneseve inovative. Qeveria planifikon të miratojë strategji dhe instrumente financiare për startup-et, SME-të dhe inkubatorët, duke orientuar zhvillimin drejt inovacionit të gjelbër dhe digjital. Një Plan Veprimi i dedikuar do të ndjekë progresin sipas standardeve të “European Innovation Scoreboard”.
Këto reforma synojnë jo vetëm përmirësimin e shërbimeve publike, por edhe krijimin e një ekonomie më konkurruese dhe të integruar në tregun europian, ku digjitalizimi shndërrohet në motor të rritjes dhe inovacionit./ekofin.al

