Përfaqësues të rëndësishëm të kompanive të huaja të cilët janë të interesuar për ndërtimin e portit tregtar Porto Romano kanë shprehur opinionet e tyre në lidhje me këtë projekt. Kryeministri Edi Rama ka ndarë këto opinione në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë port si një nga veprat më strategjike jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë rajonin.
Ivo Huisman, përfaqësuesi i kompanisë “Van Oord”, kontraktori holandez i gërmimit të porteve vlerësoi se “ky ishte një prezantim shumë i mirë dhe një projekt shumë interesant”.
“Do të jetë sfidues mendoj, por jemi gati të përballemi me këtë sfidë. Na pëlqejnë këto lloj projektesh”, tha ai.
Romain Brieu, nga “Soletanche Bachy”, “Vinci Group”, nga Franca u shpreh se: “Kemi ardhur, sepse jemi shumë të interesuar për këtë projekt të Porto Romanos. Prezantim shumë i mirë. Të gjithë duken mjaft të angazhuar në Shqipëri për këtë projekt, kështu që, po, është një shenjë shumë e mirë për ne. Jemi të prirur të marrim pjesë në tender dhe të përpiqemi në maksimum për këtë projekt”.
Katalin Kretu nga Rumania tha se prej 13 vitesh punon për “Boskalis” dhe “Shqipëria ka qenë në radarin tonë prej shumë kohësh”.
“E njohim këtë projekt. Jemi tej mase të interesuar. Jemi të gëzuar që, më në fund, janë hedhur hapa drejt këtij projekti dhe që po merr jetë. Boskalis si kompani ka shumë vite që ndërton porte, që prej vitit 1912, kështu që jemi një prej kompanive më të mëdha në gërmimin dhe ndërtimin e porteve, ndaj portet na pëlqejnë dhe mendojmë se mund t’i sjellim vlerë të shtuar këtij projekti. Mendoj që portet janë një mënyrë e qëndrueshme për të ecur përpara dhe mendoj që Shqipëria duhet t’i ndërtojë, pasi do të keni shumë zona në brendësi që do të zhvillohen dhe do të ketë shumë trafik, ndaj është hapi logjik i mëtejshëm për t’u hedhur. Ne mendojmë se është diçka shumë e mirë që keni punësuar edhe një konsulent ndërkombëtar, për t’ju ndihmuar me hartimin e këtij projekti dhe, mesa pashë, është shumë i mirë, është i mirëorganizuar dhe nëse edhe procedura do të jetë në anglisht, do të jetë shumë më e lehtë për ne t’i paraqesim dokumentet e tenderimit në kohë”, tha ai.
Filippo Leoni përfaqësues i kompanisë italiane “Trevi” tha se “kompania është e specializuar në zbatimin e punimeve inxhinierike në terren dhe punime të specializuara për themelet”.
“Kemi bërë mjaft punime detare në këtë sektor, së bashku me aktorë të tjerë kryesorë në këtë fushë. Është shumë interesant. Kuptoj që është një projekt shumë ambicioz. Duke qenë se jemi italianë dhe jemi kaq pranë Shqipërisë, sigurisht, edhe për ne është diçka e mirë. Duket mirë. Më duket mjaft me interes që Shqipëria po përpiqet të dalë nga disa vite të vështira dhe të bëhet një prej aktorëve kryesorë, së paku, në Mesdhe. Puna jonë është shumë e specializuar te themelet, kështu që do të shohim çfarë përmban projekti dhe do të propozojmë optimizimin tonë, sigurisht, nëse është mundur. Duket mirë. Për mua, është shumë e rëndësishme, deri në nivelin që ka shumë aktorë ndërkombëtarë, duke filluar me projektuesit dhe mendoj se është garanci për qeverinë shqiptare që t’ia dalë me sukses projektit”, shtoi ai.
Alexis Replumaz, përfaqësuesi i “Eiffage Group”, kompania e tretë në Francë për punimet civile dhe një kompani e specializuar për punimet detare u shpreh se punojnë në mbarë botën.
“Kemi aktualisht projekte në Amerikën e Jugut, në Afrikë, gjithashtu dhe në Lindjen e Mesme. Jemi shumë të kënaqur që kemi ardhur në Shqipëri e, pse jo, të mos punojmë për këtë projekt prestigjioz, që duket se është shumë, shumë interesant. Prezantimi ishte shumë i mirë, sepse, për ne, është shumë e dobishme të marrim informacion nga konsulenti, që është një kompani shumë e mirë, të cilën e njohim. Janë shumë profesionalë dhe i vlerësojmë shumë. Marrja e informacionit paraprak do të përcaktojë edhe pozicionin tonë. Ne jemi mësuar me këto lloj procesesh dhe e dimë që do të jetë një proces shumë transparent dhe shumë efikas, ndaj jemi mjaft besimplotë te procesi që kemi ngritur. Duhet t’i hedhim një sy zonës, për të parë mjedisin për punimet”, theksoi ai.
Ndërsa Matthias Buchsmann përfaqësues i kompanisë “Jan De Nul”, një nga kompanitë e mëdha, u shpreh se është një forum mjaft i mirë, në përpjekje për të siguruar angazhimin e hershëm të kontraktorëve, për të parë sesi mund të vendoset i gjithë kalendari i tenderit.
“Është një qasje shumë proaktive, që padyshim është e mirë. Duket një projekt shumë i madh. Ne e dimë se cilët janë njerëzit e përfshirë, e dimë se çfarë do të ndodhë, nuk ka asnjë surprizë. Të gjithë luajnë në nivel të barabartë, kështu që është e përsosur”, u shpreh ai.