Të gjitha të dhënat që Policia e Shtetit mbledh gjatë ushtrimit të veprimtarisë së saj, përfshirë edhe informacionet mbi ambientet që frekuentojnë individët, i nënshtrohen rregullave strikte për mbrojtjen e të dhënave personale, sipas një udhëzimi të përbashkët të miratuar nga Ministria e Brendshme dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Udhëzimi përcakton se çdo informacion i grumbulluar nga policia: nga të dhënat identifikuese, kontaktet, informacionet financiare apo të dhënat sensitive, deri te hyrje-daljet nga territori dhe lidhjet shoqërore, trajtohet si e dhënë personale dhe i nënshtrohet të njëjtave standarde ligjore për përpunim, ruajtje dhe përdorim. Në këtë kuadër, edhe një kategori specifike, si të dhënat mbi ambientet që frekuentohen nga individët, përfshirë bare, hotele apo objekte të tjera, trajtohet si pjesë e të dhënave që duhet të mbrohen dhe administrohen sipas ligjit.
Sipas përcaktimeve, përpunimi i këtyre të dhënave mund të kryhet vetëm për qëllime të ligjshme policore dhe në përputhje me parimet e mbrojtjes së të dhënave personale, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individëve. Çdo veprim mbi këto të dhëna, nga mbledhja dhe regjistrimi deri te përdorimi apo shpërndarja, duhet të jetë i dokumentuar dhe i gjurmueshëm.
Udhëzimi vendos gjithashtu detyrime për sigurinë dhe konfidencialitetin, duke kërkuar përdorimin e sistemeve të sigurta elektronike, kufizimin e aksesit vetëm për personat e autorizuar dhe trajnimin e punonjësve për mbrojtjen e të dhënave. Në çdo rast, punonjësit e policisë janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e informacionit edhe pas përfundimit të funksionit të tyre.
Po ashtu, janë parashikuar mekanizma të posaçëm dhe konfidencialë për raportimin e çdo shkeljeje të mundshme në trajtimin e të dhënave, ndërsa Komisioneri mbikëqyr zbatimin e këtyre rregullave dhe ndërhyn në rast shkeljesh.
Kuadri i ri synon të garantojë që çdo e dhënë e mbledhur nga policia, pa përjashtim, përfshirë edhe informacionet më specifike mbi aktivitetet apo ambientet e individëve, të trajtohet me standarde të larta sigurie dhe transparence, duke balancuar nevojat e sigurisë publike me mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve./ekofin.al
