POK shënon një moment historik për pagesat dhe shërbimet digjitale në Shqipëri me lançimin e Apple Pay dhe asistentit të tij me inteligjencë artificiale, duke u bërë fintech-u i parë në vend që ofron si Apple Pay, ashtu edhe një AI Assistant të integruar në aplikacion. Ky hap përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm për tregun vendas dhe forcon më tej misionin e POK për të sjellë inovacion financiar, akses më të lehtë në shërbime pagese dhe një përvojë moderne për përdoruesit.
Me Apple Pay, përdoruesit e POK mund të shtojnë kartat e tyre digjitale në iPhone, Apple Watch dhe pajisje të tjera të mbështetura nga Apple, duke kryer pagesa në dyqane, online dhe brenda aplikacioneve në një mënyrë të shpejtë dhe të sigurt. Çdo transaksion mbrohet përmes teknologjive të avancuara të sigurisë së Apple.
Asistenti me inteligjencë artificiale, POKi, është krijuar për të ndihmuar përdoruesit të kuptojnë dhe të përdorin çdo funksionalitet të aplikacionit, duke ofruar shpjegime të thjeshta, udhëzime hap pas hapi dhe “shortcut-e” të shpejta që i ndihmojnë të përfundojnë veprime të ndryshme më lehtë dhe më shpejt. Qoftë për pagesa, menaxhim karte, transferta apo funksione të tjera brenda aplikacionit, asistenti e bën përvojën më intuitive dhe më efikase.
Lançimi i Apple Pay dhe i AI Assistant vjen si vazhdim i vizionit të POK për të ndërtuar një platformë financiare digjitale që i përgjigjet nevojave reale të përdoruesve. Kartat digjitale POK u japin klientëve mundësinë të pajisen menjëherë me një kartë për përdorim të përditshëm, pa pritur prodhim fizik apo dorëzim. Ato janë praktike, të sigurta dhe të përshtatshme për pagesa, blerje online, abonime dhe menaxhim më të mirë të shpenzimeve, ndërsa tashmë ofrojnë edhe përdorim të plotë me Apple Pay. Ndërkohë, asistenti inteligjent ndihmon përdoruesit të përfitojnë më shumë nga i gjithë ekosistemi POK.
Ky moment nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e partnerëve strategjikë.
“Dëshiroj të shpreh një mirënjohje të veçantë për Visa, për bashkëpunimin e ngushtë, ekspertizën dhe mbështetjen e vazhdueshme në sjelljen e zgjidhjeve moderne të pagesave në tregun shqiptar,” u shpreh Akil Rajdho, Co-Founder dhe CEO i POK. “Gjithashtu, një falënderim i veçantë shkon për Bankën Credins, partnerin tonë të rëndësishëm, për besimin dhe bashkëpunimin që kanë bërë të mundur arritjen e këtij momenti të rëndësishëm.”
“Me lançimin e AI Assistant, POKi po e çon përvojën e përdoruesit një hap më tej, duke i udhëzuar përdoruesit në çdo funksion të aplikacionit dhe duke u ofruar rrugë më të shpejta për të kryer veprime konkrete, duke e bërë aplikacionin më të thjeshtë, më të zgjuar dhe më të dobishëm në përdorimin e përditshëm.”
Me këtë lançim, POK hedh një tjetër hap të rëndësishëm drejt së ardhmes së pagesave dhe shërbimeve financiare digjitale në Shqipëri. Kompania mbetet e përkushtuar të zhvillojë produkte dhe shërbime që i bëjnë pagesat dhe menaxhimin financiar më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të sigurta për të gjithë përdoruesit e saj, duke sjellë standarde ndërkombëtare në tregun vendas dhe duke vendosur klientin në qendër të çdo inovacioni.
