Ashtu si çdo vit, Drejtoria e Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik dhe Raportimit Financiar, në bashkëpunim me strukturat e Buxhetit dhe Thesarit në Ministrinë e Financave kanë analizuar 18 tregues performance që lidhen me planifikimin, zbatimin e buxhetit dhe funksionimin e sistemeve të kontrollit e auditimit të brendshëm në institucionet publike.
Këta tregues, të përcaktuar me një metodologji të miratuar nga Ministria e Financave, shërbejnë për të vlerësuar progresin dhe mangësitë e institucioneve publike në menaxhimin financiar. Procesi është thelbësor për eficiencën e kontrollit të brendshëm dhe përmbushjen e kërkesave të integrimit në BE.
Sipas raportit, rankimin për vitin 2024 nga ministritë e linjës e kryeson Ministria e Financave me 63 pikë gjithsej nga 72 që është maksimalja, duke treguar një rritje me 4 pikë më shumë nga vlerësimi i vitit 2023. Rritjen më të madhe të performancës krahasuar me vitin 2023 e ka Ministria e Mbrojtjes me 61.5 pikë ose 9 më shumë në 2024, e ndjekur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me 61 pikë dhe me një rritje prej 2 pikësh si dhe Ministria e Drejtësisë me 59.5 pikë ose 4 pikë më shumë se viti 2023.
Rënien më të fortë krahasuar me vitin 2023 e ka patur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila nga vendi i parë ka zbritur në vend të tetë. Ndërkohë pas saj në renditje në tre vendet e fundit janë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me 54 pikë, e ndjekur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Nga institucionet e pavarura dhe ato në varësi të Kryeministrisë renditen në vendet e para Shkolla e Magjistraturës me 66 pikë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit me 62 pikë, ndërkohë që Prokuroria e Përgjithshme është institucioni që shënuar rritjen më të madhe me 10 pikë, ndjekur nga Komisionit i Pavarur i Kualifkimit me 9 pikë rritjeje.
Inspektorati Qendror (+7 pikë) ka shënuar performancë më të përmirësuar në grupin e varësisë nga Kryeministria, ndërsa më të dobtën e ka shënuar Avokatura e Shtetit (-6 pikë).
Rankimi i Bashkive si qendër qarku pozicion Bashkitë e Durrësit +6 pikë, bashkinë Kukës (+4 pikë), Bashkinë Shkodër dhe Korçë më 1 pikë rritje më shumë se 2023 ndër bashkitë me performancën më të mirë, ndërsa performancën më të dobët e ka shënuar Bashkia Tiranë me 44.5 pikë nga 72 në total, ose – 6 pikë nga viti 2023.
Ndër bashkitë e tjerë performancën më të lartë e ka shënuar Bashkia e Shijakut me +19 pikë, Bashkia Pukë +17 pikë më shumë, Bashkia Divjakë, Himarë, Vorë me +16 pikë më shumë secila. Performancën më të dobët për vitin 2024 e mban Bashkia Kuçovë me -29 pikë e ndjekur nga Bashkia Librazhd me – 24 pikë./ekofin.al