Dogana e Fierit i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me një kërkesë urgjente për orientim lidhur me vijimin ose jo të procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm ndaj kompanisë “Bankers Petroleum Albania LTD”, për një detyrim shumë të lartë akcize dhe penalitetesh që në total arrin mbi 12.3 miliardë lekë, ose rreth 128 milionë euro.
Sipas dokumentit, Dega e Doganës Fier sqaron se ndaj kompanisë është nxjerrë vendim për kontabilizimin e detyrimeve të akcizës në shumën 3.09 miliardë lekë, ndërsa penaliteti është llogaritur në trefishin e detyrimit fiskal të papaguar, në vlerën 9.28 miliardë lekë, bazuar në ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
Dogana thotë se kompania është njoftuar disa herë për ekzekutimin vullnetar të detyrimeve, por më pas është proceduar me rikuperimin me forcë të tyre dhe me kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë.
Në shkresë evidentohet edhe një seri problematikash procedurale dhe burokratike që kanë penguar vijimin normal të procesit. Sipas Doganës Fier, një kërkesë për ekzekutim të detyrueshëm, e dërguar në dhjetor 2025, përfundoi gabimisht në sekretarinë e Gjykatës Administrative dhe jo pranë zyrës përmbarimore kompetente, çka solli kthimin pa veprime të akteve.
“Si pasojë e gabimit njerëzor nga sekretaria, shkresa është përcjellë pranë sekretarisë së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Lushnjë dhe jo pranë Shërbimit Përmbarimor”, thuhet në dokument.
Ndërkohë, Dogana Fier sqaron se në vijim të udhëzimeve të organit epror dhe në kushtet e “nevojës ekstreme”, është lidhur edhe një akt-marrëveshje për arkëtimin progresiv të principalit të detyrimit, ndërsa penaliteti mbetet ende i pambuluar.
Pikërisht për këtë arsye, dega doganore kërkon tashmë një orientim të qartë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nëse duhet të vazhdohet apo jo me procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm të urdhrit të ekzekutimit nr.488, datë 09.12.2025.
Në dokument theksohet se situata bëhet edhe më sensitive për shkak të afateve të kufizuara të parashkrimit të gjobës dhe rrezikut që çdo vonesë e mëtejshme mund të cenojë interesat fiskale të administratës doganore.
“Kjo kërkesë paraqitet në kushtet kur afatet e parashkrimit të gjobës janë të kufizuara dhe çdo vonesë e mëtejshme mund të cenojë interesat fiskale të administratës doganore”, shkruan Dogana Fier në fund të letrës drejtuar qendrës.
Rasti hedh dritë mbi një përplasje të ndërlikuar administrative dhe ligjore mes administratës doganore dhe një prej kompanive më të mëdha në sektorin e naftës në vend, ndërsa mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi final i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për vijimin e procedurës së mbledhjes me forcë të detyrimit. /ekofin.al



