Tregu i sigurimeve ka shfaqur shenja përshpejtimi në muajin maj. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për periudhën janar-maj, primet e shkruara bruto arritën në rreth 9.36 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5% krahasuar me një vit më parë. Për 4-mujorin e parë të këtij viti, rritja ishte afro 4%. Rritje ka patur edhe sa i përket numrit të kontratave në sigurime, me rreth 10.5%.
Ajo që vihet re është rritja e konsiderueshme e dëmeve të paguara nga shoqëritë e sigurimit. AMF raporton se gjatë muajit janar – maj 2024, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,450 milionë lekë, ose 32.27% më shumë se në periudhën janar – maj 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar – maj 2024 kapën vlerën 2,450 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 25.46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar – maj 2024 arritën rreth 5,346 milionë lekë, ose 11.53% më shumë se në periudhën janar – maj 2023.
Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar – maj 2024, pati një rritje prej 13.53% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 13.21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Produkti Karton Jeshil në periudhën janar – maj 2024 pati një rritje prej 1.60% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 21.71% krahasuar me periudhën janar – maj 2023.
Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar – maj 2024, pati një rritje 3.43% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar – maj 2023. Edhe numri i kontratave u rrit me 5.33%.
Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar – maj 2024 arritën rreth 4,018 milionë lekë, 3.56% më pak se në periudhën janar – maj 2023. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 1.45 % krahasuar me periudhën janar – maj 2023.
Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë muajit janar – maj 2024, patën një ulje me 8.12% kundrejt muajit janar – maj 2023.
Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë muajit janar – maj 2024 siguruan mbi 1,697 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 70.72%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 20.57% të totalit.
Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar – maj 2024, vihet re një ulje prej 25.61% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.94% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar – maj 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar – maj 2024, arritën në rreth 609 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 10.17% në krahasim me periudhën janar – maj 2023.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar – maj 2024, arritën rreth 847 milionë lekë, ose 19.28% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekofin.al
