Janë përzgjedhur pesë skuadrat që kalojnë në fazën e dytë të konkurrimit për projektin e rivitalizimit të Pallatit të Kongreseve.
Korporata e Investimeve Shqiptare ka njoftuar se pas thirrjes së hapur ndërkombëtare për koncept-dizajnin dhe zhvillimin e projektit janë shortlistuar pesë ekipe që do të vijojnë në Fazën II të procesit. Më 2 qershor, këto skuadra do të prezantojnë propozimet e tyre, ndërsa juria do të përzgjedhë konceptin fitues që do të udhëheqë transformimin e godinës ekzistuese.
Sipas njoftimit, pesë ekipet e përzgjedhura (në rend alfabetik) janë:
- “ARCHI-TECTONICS” + Edil AL-IT SH.P.K + Edil-AL + PNI-2001 SH.P.K + Lindita Pelivani
- “Herzog & de Meuron Basel Ltd” + Julian Beqiri + Marsela Demaj + Michel Desvigne (MDP) + Gentian Shkurti + SUEB INDUSTRIES SH.P.K + The Space Factory Ltd + KLAR SH.P.K
- “MVRDV B.V” + AEI Progetti Srl + IRI SH.P.K + Jason Bruges Studio Ltd + Charcoalblue International Ltd + Arup Engineering (Ove Arup & Partners Ireland Ltd) + Bami Holding SH.P.K
- “Perrault Architecture SASU” + Pierre Antoine Gatier + Altitude 35 + Ove Arup & Partners Ireland Ltd + Huesco Records + Concord Investment SH.P.K + Gruppo Koni SH.P.K
- “Studio GANG” + Gener 2 SH.P.K + AD-STAR SH.P.K + Digi Print + Besart Papa + Rudina Papavasili
Çfarë parashikon projekti?
Ekofin raportoi në nëntor 2025, pasi konsultoi dokumentat e konkursit dhe se zona është e ndarë në dy “site”. I pari është vetë Pallati i Kongreseve, me truall 11,740 metra katrorë dhe një sipërfaqe ekzistuese ndërtimi prej 5,604.8 metra katrorë. Ky objekt, i ndërtuar në vitet 1982–1986 dhe i shpallur Monument Kulture i Kategorisë II, është jo vetëm skenë qendrore për kongrese, festivale dhe evente shtetërore, por edhe një nga shembujt më domethënës të arkitekturës monumentale të asaj periudhe.
I dyti është trualli për sipërmarrje në kufi me Pallatin, me një sipërfaqe totale 4,760 metra katrorë, i përbërë nga parcelat 7/74 dhe 7/88 në zonën kadastrale 8160. Pikërisht këtu parashikohet ndërtimi i një objekti të ri multifunksional me përdorim të përzier, ku mund të ndërthuren funksione akomodimi, biznesi, zyra, tregti, shërbime dhe parkim nëntokësor. Sipërfaqja maksimale e lejuar ndërtimore mbi tokë është 50,000 metra katrorë, ndërsa minimumi 40,000 metra katrorë, duke e pozicionuar projektin në kategorinë e zhvillimeve të mëdha urbane.
Dy strukturat – Pallati ekzistues dhe godina e re – duhet të funksionojnë në mënyrë të pavarur, secila me identitetin e vet, por në harmoni arkitektonike dhe funksionale. Sfida për projektuesit është që ndërtimi i ri të mos “mbytë” apo relativizojë siluetën e Pallatit të Kongreseve, por ta theksojë dhe ta vërë në dukje si pikë reference në një ansambël të ridimensionuar.
Modeli i sipërmarrjes: rivitalizim pa barrë direkte në buxhet
Kuadri ligjor mbi të cilin mbështetet projekti është vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 137, datë 06.03.2024, që rregullon përdorimin e pronës shtetërore nëpërmjet qirasë, enfiteozës, leasing apo partneriteteve të tjera publike-private, si dhe vendimi nr. 503, datë 10.09.2025, që transferon pronat shtetërore te Korporata e Investimeve Shqiptare për realizimin e projektit.
Në termat praktikë, kjo do të thotë se financimi i rivitalizimit të Pallatit të Kongreseve nuk planifikohet si investim klasik buxhetor, por si pjesë e një pakete që “shlyhet” përmes zhvillimit imobiliar të truallit ngjitur. Partneri privat do të investojë në restaurimin dhe modernizimin e monumentit dhe, në këmbim, do të marrë një pjesë të caktuar të sipërfaqes së zhvillimit në godinën e re multifunksionale.
Kriteri bazë financiar është i qartë: pjesa takuese e Korporatës nuk mund të jetë më pak se 45 për qind e sipërfaqes totale të zhvillimit në objektin multifunksional. Fituesi, megjithatë, duhet të ofrojë përqindjen më të lartë mbi këtë prag minimal. Sa më e lartë të jetë pjesa që i mbetet Korporatës, aq më “i shtrenjtë” konsiderohet kontributi i partnerit privat në rivitalizimin e Pallatit dhe aq më e favorshme llogaritet marrëveshja për palën publike.
Procedura e fazës së dytë
Këta pesë kandidatë të cilët ftohen në fazën e dytë, do të dorëzojnë një propozim të plotë të ndarë në dy zarfa: zarfi i parë përmban projekt-idetë arkitekturore të detajuara, ndërsa i dyti ofertën financiare. Vlerësimi kryhet në dy etapa në kuadër të një konkursi të hapur publik, në prani të një jurie ndërkombëtare, çka synon t’i japë procesit transparencë, kredibilitet profesional dhe një dimension konkurrues mbi standardin mesatar të tregut lokal.
Si përcaktohet fituesi: arkitektura dhe matematika e metro katrorëve
Në etapën e dytë, në lojë hyn oferta financiare, ku çelësi është përqindja e sipërfaqes që partneri privat i ofron Korporatës mbi kriterin bazë 45 për qind.
Kontrata i jepet kandidatit që arrin të kombinojë dy elemente: të vlerësohet me çmimin e parë për projektidenë arkitekturore dhe, njëkohësisht, të ketë ofertën më të favorshme financiare mbi kriterin bazë, në terma të sipërfaqes së zhvillimit që i kalon palës publike. Praktikisht, kërkohet që cilësia arkitekturore dhe interesi publik në formën e pjesës takuese të shtetit në objektin e ri të jenë të balancuara.
Në kontratë formalizohet edhe detyrimi që, me kërkesë të Korporatës, fituesi të sigurojë zhvillimin e projektit të Rivitalizimit të Pallatit të Kongreseve sipas projekt-idesë fituese, ku vlera e këtij projekti mbulohet nga pjesa takuese e Korporatës në zhvillimin e ri multifunksional. Në teori, kjo krijon një mekanizëm ku monumenti përfiton një cikël të plotë restaurimi e modernizimi, i “paguar” nga të ardhurat e gjeneruara nga zhvillimi imobiliar i truallit ngjitur. /ekofin.al
