Trupi i një të porsalinduri përbëhet rreth 80 % nga uji. Duke u plakur përmbajtja e ujit në trup bie dhe arrin diku në rreth 60 %. Qelizat yndyrore kanë një përmbajtje më të ulët të ujit se qelizat e tjera të trupit. Kështu që njerëzit mbipeshë kanë më pak ujë se njerëzit e dobët dhe gratë kanë më pak ujë se burrat. Për mbijetesën tonë është jetike që ta furnizojmë rregullisht trupin me lëngje.
Disa organe kanë sasi të mëdha uji. Këtu bëjnë pjesë sytë, për shembull. Trupi qelqor i syrit përbëhet deri në 99 % nga uji. Muskujt po ashtu kanë një përqindje të lartë lëngjesh, rreth 80 %. Për të furnizuar trupin sa duhet ne mund të bëjmë një gjë: të pimë, të pimë dhe përsëri të pimë.
Trupi ynë humb rreth dy litra lëngje çdo ditë, në radhë të parë përmes lëkurës, e cila rregullon kështu temperaturën e trupit. Kjo ndodh sidomos kur është nxehtë. Por edhe ajri i thatë i kaloriferëve mund të ndikojë tek ne negativisht.
Këto humbje duhen kompensuar dhe për këtë arsye pimë rreth 1,5 deri në dy litra lëngje çdo ditë. Kërkesa për ujë shtohet pas ushtrimeve fizike, sportit, temperaturave të larta, etheve, të vjellave dhe diarresë. Por jo gjithmonë duhet të jetë ujë. Supat, frutat apo llojet e ndryshme të perimeve janë gjithashtu të mira për trupin dhe ndihmojnë për të rimbushur rezervat.
