Për herë të parë, pas muajve të tërë rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve të huaj, në muajin mars u shënua një rënie e numrit të shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar. Sipas shifrave të bëra publike nga INSTAT, në mars 2025 hynë në Shqipëri 549.765 shtetas të huaj, ose 2,7% më pak sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Në total, për 3-mujorin e parë të vitit, në vend kanë hyrë 1.626.219 shtetas të huaj, ose 5,9% më shumë sesa një vit më parë. Tani, mbetet për t’u parë nëse marsi ishte një muaj rastësor me ngecje, apo trendi rënës do të vijojë më tej.
Në Mars 2025, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 80 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 7 %.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 96 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj. Në Mars 2025, ky tregues ka shënuar një rënie me 1,1 %, krahasuar me Mars 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale kanë rënë me 17,8 %.
Sipas shifrave të INSTAT, në mars rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, në total 1.154.288 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 0,3 %, krahasuar me mars 2024.
Nga territori i Republikës së Shqipërisë rezultojnë të kenë dalë 1.182.728 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje me 0,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bie në sy fakti se në mars, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 604.523, duke pësuar një rritje me 3,3 %, krahasuar me mars 2024, kjo pasi kishin udhëtuar jashtë për pushime.
Gjithashtu, shqiptarët vijojnë të lëvizin, pasi edhe në Mars 2025, 621.777 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 2,9 %, krahasuar me Mars 2024. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Mars 2025, janë 560.951. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është ulur me 1,9 %. /ekofin.al