Në një fitore të madhe për energjinë e gjelbër, më shumë se gjysma e energjisë neto të prodhuar në Bashkimin Evropian gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025 erdhi nga burime të rinovueshme.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se energjia e rinovueshme arriti në 54 për qind midis prillit dhe qershorit, duke shënuar një rritje prej 1.3 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky kërcim lidhet kryesisht me boom-in e energjisë diellore, e cila prodhoi 122,317 gigavat-orë (GWh) në tremujorin e dytë. Në teori, kjo sasi mjafton për të furnizuar rreth tre milionë shtëpi dhe u përshkrua si “inkurajuese” nga Rob Stait i kompanisë Alight, një prej zhvilluesve kryesorë të energjisë diellore në Europë.
Pse energjia diellore po bëhet kaq e popullarizuar?
“Boom-i i diellit vjen sepse gjeneron kursime të mëdha në kosto energjie dhe është e lehtë e shpejt të instalohet dhe të zgjerohet”, i tha Stait Euronews Green. “Një fermë diellore mund të zhvillohet për një vit – krahasuar me të paktën pesë vjet për erën dhe të paktën dhjetë për bërthamoren. Por më e rëndësishmja, ajo siguron energji të pastër dhe të rinovueshme, dhe përhapja e saj redukton në mënyrë drastike varësinë e Europës nga nafta dhe gazi.”
Sipas Eurostat, qershori 2025 ishte muaji i parë në histori kur energjia diellore u bë burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike në BE, duke zënë 22 për qind të miksit energjetik. Pas saj renditen energjia bërthamore (21.6%), era (15.8%), hidro (14.1%) dhe gazi natyror (13.8%).
Me pushtimin rus të Ukrainës që vijon ta mbajë tregun e energjisë të paqëndrueshëm – sidomos për vendet e varura nga karburantet fosile – Stait thekson se rezistenca energjetike dhe infrastruktura e burimeve të rinovueshme janë shndërruar tashmë në një “domosdoshmëri strategjike”.
Cilat vende europiane kryesuan për nga pesha e energjive të rinovueshme?
Danimarka kryesoi në tremujorin e dytë me pjesën më të lartë të energjive të rinovueshme në prodhimin neto të energjisë elektrike (94.7%) – duke lënë pas Letoninë (93.4%), Austrinë (91.8%), Kroacinë (89.5%) dhe Portugalinë (85.6%).
Ndërkohë, Luksemburgu, megjithëse në vend të dhjetë, shënoi rritjen më të madhe vjetore falë boom-it të energjisë diellore (+13.5%). Po ashtu, Belgjika përjetoi një rritje prej 9.1% në prodhimin e energjisë së rinovueshme krahasuar me vitin 2024.
Në fund të renditjes, me përqindjen më të ulët të energjive të rinovueshme, janë Sllovakia (19.9%), Malta (21.2%) dhe Çekia (22.1%).
A do të ndihmojnë energjitë e rinovueshme në uljen e faturave të energjisë?
Sipas Stait, “ndërtimi i përshpejtuar” i kapaciteteve të rinovueshme do të ulë në fund të fundit faturat si për bizneset ashtu edhe për konsumatorët, por ritmet e ngadalta mund të mbajnë çmimet e larta për më gjatë.
“Këshilla ime për vendet europiane është të ecin më tej dhe më shpejt,” shton ai.
“Duhet veprim politik për të zgjidhur ngarkesën në rrjet, ndërsa krijimi i mundësive për inovacion dhe prodhim në Europë do të jetë kritik për të ruajtur vrullin.”/Përshtati nga Euronews, ekofin.al

