PayPal ka aplikuar për të themeluar një bankë të licencuar në shtetin e Utah-ut, një hap që do t’i mundësonte kompanisë të mbajë depozita dhe të rrisë kapacitetin e saj të kreditimit për bizneset e vogla.
PayPal, një nga sistemet më të hershme të pagesave online, ka aplikuar për të hyrë më thellë në bankarizimin bazë, ndërsa synon të përfitojë nga kërkesat më të buta rregullatore nën administratën Trump.
Megjithëse kompania me seli në San Jose ofron tashmë kredi për bizneset e vogla përmes produkteve si PayPal Working Capital, kjo bëhet kryesisht në partneritet me banka dhe duke përdorur bilance të palëve të treta.
Krijimi i PayPal Bank do t’i lejonte kompanisë të financojë kreditë më drejtpërdrejt, të mbajë depozita dhe të operojë me më shumë kontroll dhe efikasitet, pa u mbështetur aq shumë te partnerët e jashtëm bankarë.
“Sigurimi i kapitalit mbetet një pengesë e rëndësishme për bizneset e vogla që synojnë të rriten dhe të zgjerohen,” tha në një deklaratë Alex Chriss, president dhe CEO i PayPal.
“Krijimi i PayPal Bank do të forcojë biznesin tonë dhe do të përmirësojë efikasitetin tonë, duke na mundësuar të mbështesim më mirë rritjen e bizneseve të vogla dhe mundësitë ekonomike në të gjithë SHBA-në,” shtoi ai.
PayPal, e cila tashmë zotëron një licencë bankare në Luksemburg, bëri të ditur se pret gjithashtu të ofrojë llogari kursimi me interes për klientët.
Një bankë e mbështetur nga shteti
Ndryshe nga bankat tradicionale, PayPal nuk do të kërkohej të regjistrohej si kompani mbajtëse bankare sipas Aktit për Kompanitë Mbajtëse Bankare (Bank Holding Company Act), i cili do ta vendoste të gjithë grupin korporativ nën mbikëqyrjen e Rezervës Federale.
Kompanitë e kredive industriale (Industrial Loan Companies – ILC) janë banka të licencuara nga shtetet dhe lejohen vetëm në një numër të kufizuar shtetesh, përfshirë Utah-un. Bankat e licencuara nga shtetet janë institucione bankare të miratuara nga autoritetet shtetërore dhe jo nga qeveria federale.
ILC-të mund të zotërohen nga kompani mëmë jo-bankare, si firmat fintech ose shitësit me pakicë, dhe i nënshtrohen kërkesave më pak të rrepta sesa kompanitë e plota mbajtëse bankare.
Kompanitë shpesh zgjedhin Utah-un, pasi ky shtet prej kohësh lejon licencimin e kompanive të kredive industriale. Ai ka një kuadër rregullator të konsoliduar për mbikëqyrjen e tyre dhe përvojë në mbikëqyrjen e bankave në pronësi të kompanive mëmë jo-bankare.
Ndër kompanitë e mëdha që zotërojnë licenca të tilla janë Ally Bank, e cila e ka origjinën nga krahu i financimit të General Motors, si dhe Toyota Financial Savings Bank, që ofron shërbime depozitash të lidhura me aktivitetin e financimit të automjeteve të Toyota-s.
Nëse aplikimi miratohet, Mara McNeill është përzgjedhur për të shërbyer si presidente e PayPal Bank. Sipas deklaratës, ajo ka “mbi 25 vite përvojë në shërbimet financiare, bankë, kredi tregtare dhe kapital privat”.
Përpara se t’i bashkohej PayPal-it, ajo drejtoi një tranzicion të ngjashëm drejt një ILC-je si presidente dhe CEO e Toyota Financial Savings Bank./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
