Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme një vendim të ri që vendos rregulla të detajuara për mënyrën, formën dhe procedurën e raportimit të të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në kuadër të forcimit të luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Vendimi synon të standardizojë dhe digjitalizojë raportimet që lidhen me transaksionet e pasurive të paluajtshme.
Më konkretisht, Kadastra detyrohet të raportojë pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare çdo regjistrim kontrate për tjetërsim prone me vlerë të barabartë ose mbi 6 milionë lekë (ose kundërvlerën në valutë), brenda një afati maksimal prej 72 orësh. Ky raportim kryhet përmes formularit “Raport i transaksionit të vlerave” (RTV), një standard i ri i detyrueshëm që i bashkëlidhet vendimit.
Paralelisht, për çdo dyshim apo informacion që lidhet me aktivitete të mundshme të pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit, Kadastra duhet të raportojë menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë përmes formularit “Raport i aktivitetit të dyshimtë” (RAD). Të gjitha raportimet do të kryhen në mënyrë elektronike, sipas formateve të miratuara.
Vendimi përcakton gjithashtu përgjegjësitë brenda institucionit. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës duhet të caktojë një person kontakti për komunikimin me Inteligjencën Financiare, si dhe persona përgjegjës për parandalimin e pastrimit të parave në nivel qendror dhe vendor. Këta të fundit do të analizojnë çdo informacion të dyshimtë, do të vendosin për raportimin e tij dhe do të garantojnë ruajtjen e konfidencialitetit.
Vendimi përforcon edhe kufizimet mbi zbulimin e informacionit, duke ndaluar çdo punonjës të informojë subjektet e përfshira për raportimet apo hetimet në zhvillim. Po ashtu, Kadastra duhet t’u përgjigjet kërkesave për informacion të autoritetit përgjegjës brenda 10 ditëve, ndërsa në raste urgjente, kur kërkohet bllokimi i një transaksioni, informacioni duhet të vihet në dispozicion brenda 48 orëve.
Agjencia e Inteligjencës Financiare do të ketë akses të drejtpërdrejtë të në bazën e të dhënave të Kadastrës, në përputhje me legjislacionin përkatës. Shërbimet dhe kërkesat për informacion do të vijojnë të realizohen përmes platformave digjitale, sipas procedurave ekzistuese.
Vendimi përcakton se formularët RTV dhe RAD, së bashku me anekset përkatëse, përbëjnë të vetmet standarde të pranueshme për raportim. Ndërkohë, shfuqizohet udhëzimi i vitit 2009 që rregullonte më parë këtë fushë për institucionet paraardhëse./ekofin.al
