Udhëtarët drejt dhe nga zona Shengen e BE-së do të jenë në gjendje të ruajnë kredencialet e tyre të udhëtimit në mënyrë digjitale. Të dhënat e ruajtura aktualisht në çipin e një pasaporte ose karte identiteti mund të transferohen në smartphone për të lejuar një kalim më të shpejtë të kufirit.
“Propozimi i sotëm për digjjitalizimin e pasaportave dhe kartave të identitetit hap rrugën për një përvojë udhëtimi më të qetë dhe më të sigurt”, tha në një deklaratë Věra Jourová, Zëvendëspresidentja e Komisionit për vlerat dhe transparencën.
Dorëzimi i planeve dhe dokumenteve të udhëtimit paraprakisht tek autoritetet do të shkurtojë kohën në kalimet kufitare, duke i lejuar ata të vërtetojnë vërtetësinë dhe të fokusohen në raste më shqetësuese si kontrabandistët e migrantëve, argumenton Komisioni. Këto plane duhet të miratohen nga Këshilli i BE-së, i cili përfaqëson shtetet anëtare, si dhe ligjvënësit në Parlamentin Evropian. Planet vijnë në një kohë kur blloku përgatitet të prezantojë një sistem të ri të veçantë për të kontrolluar hyrjet dhe daljet nga Zona Shengen e BE-së.
Sistemi i hyrje-daljeve do të hyjë në funksion në nëntor, megjithëse raportet e fundit sugjerojnë se ai mund të përballet me vonesa të mëtejshme. Kjo do të thotë se udhëtarët nga shtetet jo BE duhet të kalojnë nëpër skaner kur hyjnë në Shengen, zona e brendshme pa pasaporta që mbulon pjesën më të madhe të BE-së plus Norvegjinë, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Zvicrën, por përjashton Irlandën dhe Qipron.
Shërbimi i pasaportave digjitale do të jetë vullnetar dhe falas për udhëtarët dhe mund të hyjë në fuqi deri në vitin 2030, tha Komisioni. /Përgatiti: ekofin.al
