Holta Zaçaj, do të jetë kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Kjo është njoftuar sot nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të cilët zhvilluan raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate. Zaçaj mori pesë vota në garën ku merrnin pjesë Fjona Papajorgji dhe Marjana Semini.
“Në përfundim të procesit të votimit, në bazë të parashikimeve ligjore, pasi mori shumicën e kërkuar ligjore, Mbledhja e Gjyqtarëve zgjodhi zonjën Holta Zaçaj në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Gjykata Kushtetues bënë të ditur se, ky vendim i njoftohet Presidentit të Republikës dhe Kryetarit të Kuvendit.
Holta Zaçaj, në muajin janar të vitit 2023 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Zaçaj, ka lindur më 12 janar 1976 në Tiranë. Ajo është Diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitin 1998.
Në periudhën 2007-2008 ka kryer masterin shkencor për “Titujt dhe rregullimet financiare”, në Universitetin e Georgetoën në SHBA, në kuadër të programit Fullbright.
Rrugëtimin profesional e ka nisur si juriste dhe aktiviste për të drejat e njeriut, duke u angazhuar në vitet 1999- 2001, në Qendrën “Paqe nëpërmjet Drejtësisë”, projekti për krimet e luftës në Kosovë. Më pas, është angazhuar si avokate në Qendrën e Praktikave dhe Shërbimeve Ligjore të Integruara (QSHPLI), në projektet e ndihmës ligjore falas, si: Klinika Ligjore për të Miturit, Zyra e Avokatit të Qytetit pranë Bashkisë Tiranë, Klinka Ligjore për Refugjatët. Nga viti 2008, krahas angazhimit në shoqërinë civile si avokate dhe eksperte e të drejtave të njeriut, ka punuar si avokate në zyrën e avokatisë “Delegibus Consulting” sh.p.k. dhe nga viti 2018 ka ushtruar profesionin e avokatit edhe në shtetin e Massachusetts, SHBA, në zyrën ligjore ”Ligris and Associates” dhe “Zaçaj Laë”.
Gjithashtu, në periudhen 2009-2013, zonja Zaçaj është angazhuar si lektore në Shkollën e Magjistraturës në trajnimin fillestar, në të drejtën familjare dhe në trajnimin vazhdues në fushën e së drejtës familjare dhe të të drejtave të fëmijëve, si dhe lektore e së drejtës bankare dhe financiare në disa universitete private në Shqipëri, në periudhën 2009-2014.
Zaçaj është angazhuar dhe ka kontribuar si eksperte ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare në një sërë iniciativash të UNICEF-it në Shqipëri, UNICEF-it në Kosovë, UNICEF-it në Gjeorgji, Këshillit të Evropës, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombetar etj.
Gjatë periudhës 2013 – 2018 ka qenë Drejtore e Departamentit Ligjor të Alpha Bank Sh.A.
Ajo është autore dhe bashkëautore e rreth 30 studimeve dhe botimeve në fushën e të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve, të së drejtës familjare, të së drejtës bankare dhe të titujve.