Stuhia e fortë që goditi mbrëmjen e së martës Sarandën dhe zona të tjera të vendit, duke shkaktuar dëme në automjete, banesa dhe biznese, si edhe duke lënë të lënduar disa qytetarë, ka rikthyer në qendër të vëmendjes rëndësinë e mbrojtjes përmes sigurimeve. Në një reagim publik, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë thekson se fenomenet ekstreme atmosferike po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më shkatërruese, duke kërkuar një qasje më të madhe ndaj menaxhimit të rrezikut.
Shoqata shprehu solidaritetin me të gjithë qytetarët e prekur nga stuhia, duke uruar shërim të shpejtë për të lënduarit dhe duke shprehur ngushëllime për familjen e elektricistit që humbi jetën gjatë ndërhyrjes për rikthimin e energjisë elektrike në zonën e Himarës.
Sipas Shoqatës, humbja e tij është një kujtesë e rrezikut të përditshëm me të cilin përballen punonjësit që ndërhyjnë në situata emergjente për të garantuar funksionimin e infrastrukturës dhe shërbimeve jetike për qytetarët.
Në reagim theksohet se ngjarje të tilla tregojnë se askush nuk është plotësisht i mbrojtur nga pasojat e fatkeqësive natyrore dhe se pikërisht në këto momente kuptohet roli i sigurimit si një mekanizëm mbrojtjeje financiare për familjet dhe bizneset.
Shoqata kujton se produktet e sigurimit mund të ofrojnë mbulim për një sërë dëmesh që shkaktohen nga fenomenet atmosferike. Sigurimi Kasko, sipas kushteve të policës, mund të mbulojë dëmet në automjete të shkaktuara nga stuhitë, rënia e pemëve apo objekteve të ndryshme. Ndërkohë, sigurimi i pronës mund të mbulojë dëmet në banesa dhe biznese nga stuhitë dhe rreziqe të tjera natyrore, ndërsa sigurimi nga aksidentet personale ofron mbështetje financiare në rast lëndimesh ose pasojash të shkaktuara nga aksidentet.
Për qytetarët dhe bizneset që kanë pësuar dëme, Shoqata rekomandon njoftimin sa më të shpejtë të kompanisë së sigurimit, dokumentimin e dëmeve dhe ndjekjen e procedurave të parashikuara në policën e sigurimit për përfitimin e dëmshpërblimit.
Në reagim vihet theksi edhe tek ndikimi i ndryshimeve klimatike, të cilat sipas Shoqatës po rrisin frekuencën dhe intensitetin e fenomeneve ekstreme atmosferike. Për këtë arsye, organizata vlerëson se forcimi i kulturës së sigurimit dhe ndërgjegjësimi për menaxhimin e rrezikut duhet të jenë pjesë e politikave të mbrojtjes së familjeve dhe bizneseve.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u bën thirrje qytetarëve dhe sipërmarrjeve të informohen pranë kompanive të licencuara të sigurimit për mbulimet që ofrojnë produktet e ndryshme dhe të zgjedhin zgjidhjet që u përshtaten nevojave të tyre.
“Sigurimi nuk mund të ndalojë një stuhi, një përmbytje apo një fatkeqësi natyrore. Por ai mund të bëjë një ndryshim të madh në mënyrën se si një familje apo një biznes e përballon ditën pas saj”, thekson Shoqata, duke e cilësuar ndërtimin e një kulture më të fortë sigurimi si një investim në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë.

