80 vjet pas ndërtimit godina e Kryeministrisë ka marrë certifikatën e pronësisë. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës z. Artan Lame, thotë se ndërtesa e Qeverisë shqiptare është pajisur me tapi vetëm 1 vit më parë.
“Kryeministria më në fund u bë me certifikatë pronësie vetëm në vitin 2021, 80 vjet pas ndërtimit. Që i bie që italianëve ju deshën vetëm 2 vjet ta ndërtonin, ndërsa shqiptarëve 80 për ta bërë me tapi”, shkruan Lame në rrjetet sociale.
Më poshtë, kreu i Kadastrës tregon se edhe Ambasada e Italisë në Tiranë është me certifikatë pronësie. Edhe kjo seli diplomatike, ashtu si Kryeministria, e ka marrë tapinë pas më shumë se 30 vitesh.
“Ambasada Italiane e një milion shqiptarëve që kanë kaluar përmes saj, sot ka certifikatën e pronësisë me stemën me shqiponjë në krye. Natyrisht elektronike, të aplikuar on-line përmes e-albania”, shkruan ai, duke shtuar “shteti shqiptar ja ka dhënë Italisë atë godinë që në vitin e largët 1991 dhe, për mbi 30 vjet nuk ka qenë në gjendje t’i japë tapinë.”
Godina e Kryeministrisë gjendet në Bulevardin “ Dëshmorët e Kombit”, ndërsa godina Ambasadës Italiane ndodhet te Rruga Papa Gjon Pali.