Pas blegtorisë, edhe peshkimi shënon rënie të fortë në vitin 2024. Referuar shifrave të publikuara nga INSTAT, sasia e peshkut të zënë nga të gjitha kategoritë ujore ishte 16.452 tonë, duke shënuar një rënie prej 14,9%, krahasuar me një vit më parë që ishte 19.338 tonë.
Vihet re gjithashtu se ka një rënie të ndjeshme të peshkimit detar, ku nga 10,011 ton peshk dhe produkte të tjera deti të kapura në vitin 2023, kjo shifër ka zbritur në 3.869 tonë në vitin 2024. Mbetet dominues peshku i kapur ne akuakulturë, me 7.165 tonë, ose 43,6% dhe pastaj pjesa tjetër në ujërat e brendshme me 4.505 tonë, ose 27,4%.
Autoritetet kanë bërë përpjekje për mbarështimin e peshkut, duke hedhur vitin e kaluar në liqenin e Ohrit 1,2 milionë rasate të Troftës Ylber, 1,8 milionë rasate të Koranit dhe 0,8 milionë rasate Krap.
Ndryshimet vjetore të zënieve sipas kategorive ujore
• Molusqe: rritja më e madhe me +14,5%, (nga 186 tonë në vitin 2023 në 213 tonë në 2024)
• Laguna: rënie me -33,0%, (nga 218 tonë në vitin 2023 në 146 tonë në 2024)
• Akuakulturë: rënie me -21,6%, (nga 9.141 tonë në vitin 2023 në 7.165 tonë në 2024)
• Bregdet: rënie me -18,1%, (nga 676 tonë në vitin 2023 në 554 tonë në 2024)
Zëniet sipas specieve kryesore
Në det, bregdet dhe lagunë:
• Karkaleci i thellësisë: 19,5% (891 tonë)
• Merluc: 16,1% (735 tonë)
• Sardele: 12,0% (549 tonë)
Në ujërat e brendshme:
• Karas: 36,1% (1.626 tonë)
• Skortë: 33,9% (1.528 tonë)
• Krap: 10,0% (430 tonë)
Referuar flotës detare, në vitin 2024, janë të licencuara 833 subjekte për aktivitet peshkimi, 22 subjekte më shumë se në vitin 2023. Flota operon kryesisht në zonën e adriatikut jugor, ku pjesa më e madhe është në Durrës, me 36,5% e anijeve të licencuara, ndjekur nga Vlora me 30,7% dhe pastaj në Lushnje-Fier me 2,2% dhe në Himarë me 1,6%. /ekofin.al

