Shqipëria po humbet gjithnjë e më shumë terren me partnerët tregtarë sa i përket eksporteve. Të dhënat e fundit, për muajin nëntor të këtij viti, tregojnë se eksportet pësuan një rënie të theksuar, sidomos me Kosovën, në masën 19.3%, Turqinë, me 80.2%, si edhe Gjermaninë me 17.8%. Rënie të eksporteve u shënua edhe me partnerët tradicionale tregtare, siç janë Italia, me 6.8%, Greqia, me 2.6%, por edhe Kina, me 13.9%.
Ndërsa për të gjithë vitin 2024, Shqipëria ka regjistruar rënie të eksporteve me Italinë (-13,6%), ndikuar kryesisht nga rënia e prodhimit të këpucëve, Kosova (-9,3%), ndikuar nga rënia e eksportit të energjisë, Greqia (-19,0%), ndërkohë që ka patur rritje të eksporteve me vende si Kina (16,6%) dhe SHBA (59,9%), që dëshmojnë rikuperim të eksportit të vajit të ullirit, produkteve të tjera ushqimore dhe bimëve medicinale.
Shkëmbimet tregtare me Bashkimin Europian
Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian (BE) mbeten të rëndësishme për Shqipërinë. Në Nëntor 2024, tregtia me vendet e BE-së ka përbërë 57,9% të gjithë shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë, ku eksportet drejt BE-së zënë 75,6% të eksporteve totale dhe importet nga BE-ja përbëjnë 50,6% të importeve gjithsej.
Italia mbetet partneri kryesor tregtar për Shqipërinë, duke përbërë 28,9% të eksporteve dhe 28,0% të importeve. Pas saj, Kina (9,4%), Turqia (7,1%) dhe Gjermania (7,0%) janë gjithashtu partnerë të rëndësishëm.
Të dhënat e fundit të INSTAT për tregtinë e mallrave në Nëntor dhe për 11-mujorin 2024 tregojnë për një tendencë të përzier, ku eksportet janë në rënie, ndërkohë që importet janë rritur. Rënia e eksporteve është ndikuar nga disa grupe, ndërsa rritja e importeve është ndihmuar nga kategoritë e makinerive dhe pajisjeve. /ekofin.al
