Ky propozim për parkun e ri të Tiranës është një monument i trashëgimisë unike ndërfetare të vendit, i konceptuar për të pritur çdo lloj feje në një hapësirë të përbashkët dhe të sigurt.
Kur Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit shpalli një konkurs ndërkombëtar për Faith Park në Tiranë, ajo kërkonte diçka më shumë sesa thjesht një projekt urbanistik; synimi ishte krijimi i një deklarate kulturore përmes arkitekturës publike, e dedikuar harmonisë dhe diversitetit fetar të vendit. Park Associati, Openfabric, AMDL Circle, Tharm architects, MIC-Hub dhe Lachlan Turczan propozuan një interpretim të përbashkët të kësaj sfide: një peizazh prej 60 hektarësh ku kultura shqiptare e tolerancës përkthehet në hapësirë dhe material.
Për të kuptuar logjikën pas Faith Park, duhet njohur rrugëtimi fetar i Shqipërisë. Krishterimi mbërriti në Iliri pak kohë pas epokës së Jezusit, me dëshmi të para që datojnë në vitin 58 pas Krishtit. Pas ndarjes së Perandorisë Romake, Shqipëria ra nën sundimin bizantin, duke krijuar më vonë një gjeografi të re fetare, ku veriu ndoqi katolicizmin e Romës dhe jugu u lidh me ortodoksinë e Kostandinopojës. Më pas, vendi u pushtua nga osmanët, duke sjellë një besim të tretë madhor, Islamin, i cili gradualisht u bë feja shumicë.
Deri në vitin 1945, rreth 68% e popullsisë identifikohej si myslimane, 19% si ortodokse dhe 13% si katolike. Kjo bashkëjetesë u ndërpre ashpër në vitin 1967, kur regjimi komunist i Shqipërisë ndaloi plotësisht fenë, duke shfuqizuar të gjitha institucionet dhe arkitekturën fetare. Kjo fushatë krijoi shtetin e parë ateist në botë: besimi u shndërrua në një sekret familjar, i praktikuar pas dyerve të mbyllura dhe i trashëguar privatisht. Kur komunizmi u rrëzua, një brez i tërë ishte rritur pothuajse pa asnjë ekspozim formal ndaj fesë, por megjithatë, tradita e harmonisë ndërfetare mbijetoi.
Në këtë kontekst, propozimi përqafon një vizion të qartë të diversitetit shqiptar. Masterplani nis me një rrjet simbolik që strukturon parkun, duke krijuar një sistem shtigjesh dhe shkallësh që kornizojnë 28 perspektiva të ndryshme dhe 33 pika takimi mes qytetarëve. Lëvizja nëpër park është konceptuar si meditative, ku ecja mbi shtigjet prej guri sedimentar shndërrohet në një ritual introspektiv më vete.
Organizimi vertikal i parkut krijon një hark narrativ, ku çdo nivel korrespondon me një intensitet të ndryshëm përjetimi, duke i ftuar vizitorët ta përshkojnë hapësirën si një udhëtim rritjeje shpirtërore. Në bazë ndodhet ndërtesa “Threshold”, e cila përfshin pavijonin e mirëseardhjes, Muzeun e Kujtesës, strukturën e eventeve dhe restorantin. Përgjatë rrjetit, parku përmban struktura të vogla që strehojnë instalacione artistike, rituale kolektive dhe performanca, si edhe akomodime miqësore me mjedisin. Ky organizim balancon rendin dhe lirinë: një rrjet që e organizon hapësirën, por njëkohësisht lë vend për zgjedhjen personale të secilit për të ndjekur rrugëtimin e vet.
Propozimi integron gjithashtu zgjidhje të lëvizshmërisë së qëndrueshme, duke nxitur aksesueshmërinë përmes shuttle-ve dhe sistemeve të lëvizjes së ngadaltë që e lidhin parkun me qytetin e Tiranës. Faith Park nuk konceptohet si një shkëputje nga qyteti, por si një zgjatim i tij, një vend ku banorët mund të shkojnë shpesh për t’u lidhur me besimet dhe komunitetet e tyre.
Edhe pse ky propozim nuk u përzgjodh, pasi Faith Park do të ndërtohet nga studio daneze BIG, projekti mbetet me vlera të mëdha në drejtim të empatisë ndaj kulturës vendase dhe diversitetit të saj. Ajo që e përcakton arkitekturën është ekuilibri: projekti njeh dhunën e së kaluarës, me Muzeun e Kujtesës të dedikuar dekadave të persekutimit, ndërsa këmbëngul për një të ardhme të ndërtuar mbi përfshirjen radikale që karakterizon identitetin bashkëkohor të Shqipërisë. Dizajni i Park Associati propozon një kuptim të ri të së shenjtës: të hapur, gjithëpërfshirës dhe të rrënjosur në këtë tokë të përbashkët. Faith Park pranon se burimi më i madh shpirtëror i Shqipërisë nuk është asnjë traditë e vetme, por aftësia për t’i mbajtur të gjitha së bashku./Përshtati nga Design Wanted, ekofin.al


