Qeveria hedh një tjetër hap në drejtim të sigurimit të kredisë me vlerë 30 milionë euro për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të financuar ndërtimin e një parku fotovoltaik në zonën e Belshit. Marrëveshja e kredisë mes palëve u dakordësua në parim vitin e kaluar, por ajo kërkonte edhe një garanci shtetërore, vendimi për të cilën u mor në mbledhjen e fundit të qeverisë.
Ekofin.al mëson se marrëveshja e huasë e dakordësuar me BERZH ka një komision angazhimi prej 0.5% dhe normë interesi të ndryshueshme. Shuma minimale e tërheqjes do të jetë 3 milionë euro, po aq sa edhe shuma minimale e parapagimit. Po 3 milionë euro do të jetë edhe shuma minimale e anulimit të kontratës.
Centrali diellor me fuqi të instaluar prej 50 mega vatë vlerësohet se do të kushtojë 40 milionë euro në total. Kjo do të thotë se veç kredisë së BERZH, 8 milionë të tjera do të financohen me grant nga BE dhe pjesa tjetër nga fondet e KESH.
I ndodhur nën varësinë e kushteve atmosferike dhe pas një viti 2024 të vështirë të karakterizuar nga rënia e prodhimit, KESH po përpiqet të diversifikojë burimet e prodhimit të energjisë dhe impianti fotovoltaik i Belshit vlerësohet si vepra e parë madhore e prodhimit të energjisë që ndërtohet nga KESH, që pas rënies së sistemit komunist.
Parku fotovoltaik parashikohet të shtrihet në një sipërfaqe prej 60 hektarësh dhe do të jetë i pajisur me një linjë të re 110 kilovolt, e cila është po ashtu pjesë e projektit dhe që do t’i japë akses parkut me nënstacionin ekzistues në Kajan.
Impianti FV do të përfshijë: Rreshta të paneleve diellore, të montuara në korniza fikse ose gjurmues, ose një përzierje e të dyjave; Invertera, për të transformuar energjinë elektrike nga DC në AC; Një çelës dhe nënstacion transformues 20-110, një linjë transmetimi mbitokësore 110kV prej 8-9 km në lidhje me nënstacionin ekzistues në Kajan. Kjo do të përfshijë një zgjerim të nënstacionit Kajan, si edhe infrastruktura të tjera ndihmëse. /ekofin.al
