Harta e investimeve të huaja në Shqipëri po sjell një zhvillim të pazakontë. Ishujt Kajman, një prej juridiksioneve financiare offshore më të njohura në botë, janë ngjitur mes tre burimeve më të mëdha të investimeve të huaja në vend gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë periudhës prill-qershor nga Ishujt Kajman janë regjistruar 53 milionë euro investime direkte në Shqipëri.
Shifra merr rëndësi jo vetëm për madhësinë, por sidomos për origjinën e deklaruar të kapitalit. Ishujt Kajman janë një territor britanik në Karaibe dhe një qendër e rëndësishme financiare ndërkombëtare. Juridiksioni nuk aplikon tatim të drejtpërdrejtë mbi të ardhurat, tatim mbi fitimin e kompanive apo tatim mbi fitimet kapitale, ndërsa të ardhurat publike sigurohen kryesisht përmes tarifave dhe detyrimeve indirekte.
Pikërisht këto karakteristika kanë bërë që Ishujt Kajman të njihen gjerësisht si juridiksion offshore dhe të përdoren për regjistrimin e fondeve dhe strukturave ndërkombëtare të investimit. Autoritetet e Kajmanit e përshkruajnë sistemin si një model “tax neutral”, që u mundëson investitorëve të grumbullojnë kapital për investime në vende të tjera pa shtuar një nivel tjetër taksimi në Kajman.
Për këtë arsye, 53 milionë eurot e regjistruara statistikisht nga Ishujt Kajman nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se investitorët përfundimtarë apo kapitali ekonomik e kanë origjinën në këtë territor. Investimi mund të kanalizohet përmes kompanive, fondeve ose mjeteve të tjera financiare të regjistruara atje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë juridiksionin e investitorit të drejtpërdrejtë sipas statistikave të investimeve, jo domosdoshmërisht vendin e pronarit përfundimtar të kapitalit.
Prania e Kajmanit bëhet edhe më domethënëse në një tremujor kur investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë arritur në 741 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar për një tremujor.
Turqia u rikthye në krye të renditjes sipas vendeve, me 64 milionë euro investime gjatë prill-qershorit, ndërsa Austria, që kishte qenë investitori më i madh në tremujorin e parë, renditet e dyta me 62 milionë euro. Menjëherë pas tyre vijnë Ishujt Kajman me 53 milionë euro.
Edhe Mbretëria e Bashkuar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen e investimeve gjatë tremujorit të dytë, ndërsa vende si Turqia, Austria, Holanda, Italia dhe Kosova vazhdojnë të kenë një prani më tradicionale në hartën e investimeve në ekonominë shqiptare.
Në skajin tjetër të renditjes qëndrojnë Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Norvegjia, Suedia dhe Serbia, me flukse relativisht të ulëta gjatë tremujorit. /ekofin.al
