Transformimi digjital i bankave shqiptare po ecën përpara, por rruga drejt modernizimit të plotë mbetet e vështirë. Gjetjet e Vrojtimit të Digjitalizimit Bankar 2024 të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, krahas përfitimeve të shumta nga teknologjia, sektori bankar përballet me një sërë sfidash që ngadalësojnë adoptimin e projekteve FinTech dhe inovacionin e shërbimeve.
Paraja cash, pengesa kryesore për digjitalizimin
Një nga problemet më të theksuara është aktiviteti i ulët digjital i klientëve, i lidhur drejtpërdrejt me përdorimin e lartë të parasë në dorë. Nëntë banka, që përfaqësojnë 68.19% të totalit të aktiveve të sektorit, janë “dakord” ose “plotësisht dakord” se ky fenomen pengon avancimin e transformimit digjital. Edhe pse shqiptarët përdorin gjerësisht internetin për informim dhe komunikim, angazhimi në shërbime financiare online mbetet i kufizuar, duke ulur efektivitetin e investimeve digjitale të bankave.
Aftësitë e ulëta teknologjike të popullsisë
Një tjetër sfidë e rëndësishme lidhet me aftësitë digjitale të qytetarëve. Shtatë banka, që përfaqësojnë 43.19% të aktiveve, e identifikojnë nivelin e ulët të njohurive teknologjike të popullsisë si pengesë për digjitalizimin. Kjo situatë thekson nevojën për iniciativa kombëtare të edukimit digjital, që do të ndihmonin rritjen e përdorimit të shërbimeve bankare online dhe kalimin gradual drejt një ekonomie më pak të varur nga cash-i.
Ekspertiza e brendshme dhe kapacitetet njerëzore
Edhe brenda vetë bankave, transformimi digjital përballet me sfida. Ndërsa 65.7% e bankave nuk pajtohen me idenë se u mungon ekspertiza për projektet FinTech, 30.95% pranojnë se kapacitetet e brendshme të kufizuara përbëjnë një pengesë reale. Kjo nënvizon rëndësinë e trajnimeve të specializuara dhe zhvillimit profesional të stafit për t’u përballur me kërkesat në rritje të teknologjive të reja.
Kosto, siguri dhe rregulla të paqarta
Kostot e larta të investimeve dhe rreziqet e sigurisë kibernetike mbeten sfida të vazhdueshme. Dy banka, që përfaqësojnë 28.8% të aktiveve të sektorit, janë “plotësisht dakord” se këta faktorë pengojnë digjitalizimin. Paralelisht, bankat evidentojnë edhe pengesat rregullatore, përfshirë paqartësitë në lidhje me identifikimin në distancë, nënshkrimet elektronike dhe bashkëpunimin me ofruesit e palëve të treta. Sipas raportit, një bashkëpunim më i ngushtë me autoritetet rregullatore është thelbësor për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për inovacionin.
Konkurrenca nga FinTech dhe kufijtë e tregut
Një sfidë tjetër vjen nga konkurrenca me kompanitë FinTech, të cilat, si start-up-e më fleksibël, arrijnë të inovojnë më shpejt se bankat tradicionale. Për më tepër, bankat përmendin edhe madhësinë e vogël të tregut shqiptar, ndërveprueshmërinë e ulët mes projekteve FinTech dhe sistemeve ekzistuese të IT-së, si dhe kompleksitetin e teknologjive si faktorë që e bëjnë transformimin digjital më të ngadaltë./ekofin.al
