Marrëveshja e “Paqes fiskale” e propozuar nga qeveria, me afat trevjeçar, synon të krijojë një regjim të posaçëm e të paracaktuar të vlerësimit të fitimit të tatueshëm, për tatimpaguesit që plotësojnë kritere të caktuara dhe që kërkojnë më shumë siguri në përmbushjen e detyrimeve fiskale.
Cilat subjekte përfitojnë?
Sipas projektligjit, subjektet që mund të përfitojnë janë të gjitha bizneset me të ardhura bruto mbi 14 milionë lekë, qofshin persona fizikë apo juridikë, të cilët nuk përfitojnë nga norma të reduktuara apo përjashtime tatimore. Nëpërmjet një marrëveshjeje me administratën tatimore, këto subjekte do të mund të përcaktojnë paraprakisht bazën e tatueshme dhe detyrimin tatimor për një vit, me mundësi rinovimi deri në dy vite të tjera.
Administrata do të llogarisë fitimin e tatueshëm bazuar në fitimin e vitit të mëparshëm, i rritur me 18%, ndërsa për çdo fitim që tejkalon këtë nivel, tatimpaguesi do të paguajë 5% tatim shtesë. Marrëveshja ka fuqi ligjore dhe përjashton tatimpaguesin nga kontrollet tatimore gjatë periudhës së vlefshmërisë, përveç rasteve të mashtrimit ose deklarimeve të rreme, thuhet në relacion.
Sipas projektligjit, kjo nismë nuk zëvendëson sistemin e vetëvlerësimit, por ofron një rrugë alternative, të dakordësuar paraprakisht, për tatimpaguesit me histori të mirë përputhshmërie, pa detyrime të papaguara apo procedura penale. Synimi është të shpërblehet korrektësia fiskale, duke krijuar një filtër që ndan bizneset me risk të ulët nga ato me risk të lartë evazioni, si dhe të përqendrojë kontrollin tatimor në fushat me risk të lartë.
Frymëzim nga modeli italian i “Pace Fiscale”
Projektligji mbështetet në përvojën e disa vendeve të Bashkimit Europian, si Italia, ku koncepti i “pace fiscale” është përdorur për të nxitur përmbushjen vullnetare, transparencën dhe redukimin e mosmarrëveshjeve tatimore. Qasja e ngjashme në Shqipëri synon të krijojë një marrëdhënie më bashkëpunuese mes biznesit dhe administratës, duke përmirësuar parashikueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit fiskal.
Sipas relacionit, kjo nismë mund të përfaqësojë një hap drejt modernizimit të administrimit tatimor dhe konsolidimit të të ardhurave publike në mënyrë të qëndrueshme. Përvoja ndërkombëtare tregon se, kur zbatohen me kritere të qarta dhe transparencë, marrëveshje të tilla rrisin ndjeshëm besimin e bizneseve dhe perceptimin për drejtësi fiskale.
Në këtë kuadër, “paqja fiskale” mund të shërbejë si një ura e re bashkëpunimi midis shtetit dhe sipërmarrjes, duke i dhënë sistemit tatimor shqiptar një dimension më të parashikueshëm, më të drejtë dhe më modern./ekofin.al
