Tregu i punës në Shqipëri ka dhënë sinjale ngadalësimi në tremujorin e parë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2025, papunësia ka shënuar rritje, ndërsa punësimi dhe pjesëmarrja në forcat e punës kanë pësuar tkurrje.
Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, shkalla e papunësisë për popullsinë mbi 15 vjeç arriti në 8.4% gjatë tremujorit të parë të këtij viti, duke u rritur me 0.1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025. Edhe pse në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë papunësia mbetet më e ulët, zhvillimet e muajve të fundit tregojnë një kthesë të lehtë në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, shkalla e punësimit zbriti në 58%, me një rënie prej 0.5 pikë përqindje ndaj tremujorit të mëparshëm. Ndërsa pjesëmarrja në forcat e punës u rrit lehtë me 0.3 pikë përqindje, ajo mbetet 0.5 pikë përqindje më e ulët se një vit më parë, duke treguar se tregu i punës po rritet me ritme më të ngadalta se më parë.
Goditjen më të fortë e ka marrë sektori prodhues. Punësimi në industri ka rënë me 5.7% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, ndërsa në bujqësi tkurrja ka qenë 2.9%. Vetëm sektori i shërbimeve ka vijuar të krijojë vende të reja pune, me një rritje prej 1% në baza tremujore. Në total, punësimi në ekonomi rezulton 1.7% më i ulët se në fund të vitit të kaluar.

Të dhënat sugjerojnë se fillimi i vitit 2026 është shoqëruar me një frenim të aktivitetit ekonomik në sektorët tradicionalë të punësimit. Tkurrja në bujqësi dhe industri ka qenë më e fortë se kapaciteti i sektorit të shërbimeve për të absorbuar fuqinë punëtore, duke sjellë rritje të lehtë të papunësisë dhe ulje të nivelit të punësimit. /ekofin.al

