Turizmi në Europë po kalon një vit pozitiv. Pothuajse të gjitha shtetet kanë shënuar rritje nga të ardhurat e tyre prej turizmit. Rritja e kërkesës ka shkaktuar një rritje të fortë të çmimeve, ku sipas vlerësimeve të Eurostat rritjen më të lartë të çmimebe e kishin Turqia, Italia, Franca e Greqia.
Të dhënat e Eurostat raportojnë se si rrjedhojë paketat turistike për qytetarët e vendeve të BE-së u rritën mesatarisht 6.6% në Korrik, veçanërisht për destinacionet e brendshme. Por nga ana tjetër, në Shqipëri, rritja ishte minimale me mesatarisht 1.4%. Një nga faktorët që i ka favorizuar shqiptarët këtë vit ka qënë edhe rënia e euros në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, që bëri që pushimet jashtë Shqipërisë në fakt të bien me 6%.
Kjo fuqi ekonomike e valutës, kombinuar edhe me rritjen e pagave, bëri që shumë shqiptarë të zgjedhin të pushojnë me paketa turistike jashtë vendit. Një fenomen që mund të shpjegojë edhe uljen e raportuar të turistëve vendas në plazhe.
Sipas INSTAT në muajin Korrik 705 mijë shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 1,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë ka ardhur në rritje, të favorizuar edhe nga çmimet ende të ulëta krahasuar me vendet e tjera europiane.
