Qeveria ka vendosur të mos ndërmarrë ndryshime të rëndësishme sa i përket politikave tatimore, vendosjes së taksave të reja, për vitin e ardhshëm, që është edhe vit elektoral.
Në relacionin shoqërues të Projektbuxhetit 2025, Financat theksojnë se ndër masat e politikave fiskale të parashikuar në këtë buxhet janë ligje tatimore të miratuara në paketat e mëparshme dhe që sjellin efekte në të ardhura në vitin 2025, si dhe të ardhura nga efekti i politikave buxhetore dhe konkretisht:
1. Në zbatim të ligjit për akcizat, lidhur me cigaret dhe duhanet, ka një kalendar 2022-2026 lidhur me rritjen e nivelit të akcizës çdo vit. Për vitin 2025 janë parashikuar të ardhura shtesë nga zbatimi i kalendarit të rritjes së akcizës në shumën prej 852 milionë lekë si dhe 20% TVSH mbi këtë shumë të rritur akcize.
2. Në buxhetin e të ardhurave të vitit 2025, janë parashikuar të gjenerohen 2 miliardë lekë shtesë nga zbatimi i ndryshimeve në ligjin “Për lojrat e fatit dhe kazinotë”.
3. Nga data 1 korrik 2024 u zbatua reforma e dytë buxhetore e rritjes së pagave në administratën shtetërore. Rritja e fondit të pagave për administratën shtetërore ka efekt në të ardhurat nga tatimi mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për vitin 2025, janë parashikuar që 7 muajt e parë, efekti në të ardhura do të jetë rreth 6.3 miliardë lekë, nga të cilat 2 miliardë lekë janë të ardhura nga tatimi mbi pagën dhe rreth 4.3 miliardë janë të ardhurat nga kontributet.
Në këtë mënyrën, Financat parashikojnë të mbledhin të ardhura shtesë nga rritja e paralajmëruar dhe e përvitshme e akcizës së duhanit, nga lojrat e fatit, të ardhura që ishin programuar edhe në buxhetin e vitit 2024, por që me shumë mundësi nuk do të mblidhen këtë vit, si edhe të ardhura shtesë nga politika e rritjes së pagave në sektorin publik.
Financat bëjnë me dije gjithashtu se referuar Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave për periudhën 4 vjeçare parashikohen të gjenerohen rreth 64.9 miliardë lekë të ardhura, ku peshën kryesore e kanë masat që do të ndërmerren nga mirëadministrimi tatimor. Draft strategjia është e ndërtuar mbi tri shtylla:
1: Rishikimi i politikës tatimore me 3 komponentë, nga e cila do të ketë rritje të të ardhurave tatimore me 9.28 miliardë lekë, përgjatë 2024-2027;
2: Miradministrimi tatimor me 7 komponentë, nga e cila do të ketë rritje të të ardhurave tatimore me rreth 51 miliardë lekë, përgjatë 2024-2027;
3: Miradministrimi doganor me 9 komponentë, nga e cila do të ketë rritje të të ardhurave doganore 4.5 miliardë lekë, përgjatë 2024-2027.
Nëse i referohemi shtyllës së parë, parashikohet mbledhja e të ardhurave shtesë prej rreth 9.3 miliardë lekë nga ndryshimet e politikave fiskale/taksave të reja, gjë e cila nuk do të ndodhë as në vitin 2025, duke lënë të kuptohet se paketa fiskale e vitit 2026 pritet të ketë ndryshime dhe rritje të taksave. /ekofin.al
