Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët e vendit ka thënë Paketa e Maleve po ecën me ritme të ulëta dhe se kjo vonesë është dekurajuese. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes me kryetarët e bashkive në vend, Rama u shpreh se një numër i madh personash kanë shfaqur interes për të investuar nëpërmjet Paketës së Maleve.
Në lidhje me këtë, kryeministri Rama kritikoi kryetarët e bashkive për vonesën e treguar në dorëzimin e hartave për zonat prioritare të vendeve. Sipas tij, kjo vonesë është dekurajuese për ata, të cilët e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në këtë proces.
“Ne besojmë që bëhet fjalë për një politikë jashtëzakonisht nxitëse, për të krijuar një platformë investimesh në territoret malore. Fakti që në hapin e parë që u hap kanali i komunikimit online lidhur me këtë paketë pati 800 shprehje interesi nga shumica dërrmuese shqiptarë Shqipërisë, flet vetë për fuqinë tërheqëse që ka kjo paketë. Nga ana tjetër e bëjmë këtë takim, sepse kemi shqetësimin që po ecën me një rritëm shumë të ulët në raport me atë që paketa vetë ka në thelb, shpejtësinë. Kjo vonesë është dekurajuese për ata të cilët tanimë e kanë çuar sinjalin e tyre që janë të interesuar të hyjnë në këtë proces”, tha Rama.
Kryeministri iu ka kërkuar kryetarëve të bashkive që të ngrenë në Task Force dhe brenda muajit tetor duhet të dorëzojnë hartat për zonat prioritare.
“Duhet të ngrini një Task Force. 500 të parët që do marrin kontratën, për 10 vjet nuk do paguajë asnjë lloj takse. Por duhet t’i ndihmoni që të jenë te 500 të parët. Duhet t’i rrini në gatishmëri. Kriteri i parë, sa do kontribuosh në rritjen ekonomike të vendit. Nuk mund të jetë historia, mblidh të ardhura përmes taksave, shpërndaji dhe pastaj kërko më shumë të ardhura. Bashkitë duhen të jenë pararojë për të krijuar të ardhura në ekonomi. Ky është një nga instrumentat, rritje ekonomike në nivel vendor. Pastaj kanë kontribut edhe në ekonominë në nivel kombëtar. Kjo vlen për të gjithë, edhe për Benet Becin, që ishte promotor, por nuk e shoh këtu. Nuk ka ardhur akoma harta. Të paktën, edhe Memaliaj, edhe Fushë Arrëzi, nuk na kanë sjellë gjë, ju kanë shpëtuar nga pozita e vështirë. Si majtas, si djathtas, flenë gjumë. Zgjohuni nga gjumi, brenda muajit tetor, të vijnë hartat”, tha Rama.






