Vetëm 5 ditë pas hapjes së aplikimeve për masat lehtësuese të parashikuara në ligjin e quajtur “Paketa e Maleve”, 787 qytetarë kanë shprehur interes për të investuar në tokat e tyre.
Kryeministri Edi Rama publikoi të dhënat e para, duke paraqitur një hartë që ilustron këtë fluks aplikimesh.
“Kjo është një hartë frymëzuese e aplikimeve për Paketën e Maleve, ku në vetëm 5 ditë numërohen 787 aplikantë”, u shpreh Rama.
Paketa parashikon që për 500 aplikuesit e parë të ofrohen disa lehtësi, duke përfshirë përjashtim nga taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH), tatimi mbi të ardhurat, taksa për pasuritë e paluajtshme dhe taksa për infrastrukturën për një periudhë prej 10 vjetësh. Pjesa tjetër jashtë grupit prej 500 aplikantësh do të përfitojnë nga lehtësitë procedurale.
Qëllimi kryesor i kësaj pakete është të krijojë kushte më të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në zonat malore të vendit, kryesisht ato të veriut.
Bashkitë në të gjithë vendin duhet të nxjerrin listën me zonat me potencial investimi në këtë paketë dhe më pas ta dorëzojnë atë për miratim në qeveri.

