Është botuar në Fletore Zyrtare ligji “Për paketën e maleve” që synon tërheqjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik apo turistik në zonat me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore. Përmes procedurave ligjore më të thjeshtuara “poseduesit jopronarë” mund të bëhen “pronarë” të tokave, pyjeve apo livadheve në zonat malore.
Për subjektet që zotërojnë pronë shtetërore pa titull, ligji njeh të drejtën për t’u njohur si “poseduesit jopronar” duke paraqitur aplikim pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore, të shoqëruar me plan rilevimi të sipërfaqes së poseduar, të hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar.
Gjithashtu ai mund të paraqesë dokumentacion tatimor për aktivitet ekonomik mbi pronën; fatura të shërbimeve të lidhura me pronën; deklarata/dëshmi nga banorët dhe autoritetet vendore që konfirmojnë përdorimin e vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh të pronës; fotografi, ortofoto ose prova të tjera materiale që vërtetojnë posedimin; ose dokumentacionin që vërteton lidhjen e tij me pasurinë.
Pasi njihet si “posedues jopronar” me vendim të këshillit bashkiak, pavarësisht faktit se nuk ka fituar ende titullin e pronësisë mbi sipërfaqen, ka të drejtë të paraqesë kërkesën për marrjen e lejes së zhvillimit për të apo për një pjesë të saj, duke iu drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Pas marrjes së lejes së zhvillimit poseduesi ka të drejtë të paraqesë kërkesë për blerjen e sipërfaqes së përfshirë në lejen e zhvillimit, me vlerën simbolike 1 (një) euro. Procedurat e kalimit të pronësisë sipas këtij ligji kryhen në çdo rast vetëm për atë pjesë të sipërfaqes që përfshihet në gjurmën e lejes së zhvillimit. Për pjesët e tjera zbatohen dispozitat e Kodit Civil, saktëson dispozita ligjore.
Në rast pranimi të kërkesës, lidhet kontrata e shitjes me kusht, me vlerën simbolike 1 (një) euro, ku kushti konsiston në marrjen e certifikatës së përdorimit.
Pas regjistrimit të kontratës së shitjes, pronari dhe investitori aplikojnë për leje ndërtimi, e cila miratohet nga KKTU-ja. Leja e ndërtimit e humbet vlefshmërinë e saj nëse punimet për veprën nuk nisin brenda 2 (dy) vjetëve nga miratimi i saj.
Ligji parashikon se për ata që përfitojnë pronësinë dhe realizojnë projektin dhe ushtrojnë aktivitetin e deklaruar prej tyre, përfitojnë për një periudhë 10-vjeçare: përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë; përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme; përjashtim nga TVSH-ja; përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat.
Megjithatë, ligji e kufizon numrin e përfituesve në 500 subjekte në të gjithë territorin e vendit. Në rast se numri i përgjithshëm i kërkesave të kalimit të pronësisë e tejkalon këtë shifër, ndiqet parimi i “të parit në kohë”.
Ligji hyn në fuqi brenda 15 ditëve nga botimi në Fletoren Zyrtare dhe brenda 6 muajve ministri i pushtetit vendor dhe ai i financave do të miratojnë udhëzimet përkatëse për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës prioritare të zhvillimit, si dhe për mënyrën e përfitimit të lehtësive. Po kështu, brenda 6 muajve edhe kryetarët e bashkive do të duhet të miratojnë udhëzimin për mënyrën e paraqitjes së aplikimit nga subjektet./ekofin.al