Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, sistemet e pagesave kanë shënuar një zgjerim të dukshëm, duke reflektuar rritje si në numrin ashtu edhe në vlerën e transaksioneve të kryera. Të dhënat e raportit të stabilitetit financiar tregojnë se rritja është mbështetur si nga përdorimi më i gjerë i sistemeve AIPS dhe AECH, ashtu edhe nga zgjerimi i pagesave me karta dhe transfertat digjitale, që po fitojnë terren në sjelljen financiare të individëve dhe bizneseve.
Sipas të dhënave, në terma të aktivitetit të procesimit, në sistemin AIPS u kleruan gjatë periudhës rreth 90 mijë pagesa me një vlerë prej 8,140 miliardë lekësh. Numri i transaksioneve ka shënuar një rritje prej 11%, ndërsa vlera e tyre u rrit me rreth 8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Paralelisht, në sistemin e pagesave me vlerë të vogël AECH, gjatë periudhës, janë kleruar 886 mijë pagesa, me një vlerë mesatare për transaksion prej rreth 136 mijë lekësh. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, aktiviteti i sistemit AECH ka regjistruar një rritje, si në numër ashtu edhe në vlerë, me rreth 18%.
Rritje e ndjeshme e numrit të pagesave të kryera nëpërmjet sistemit AIPS – EURO
Raporti thekson se deri në fund të muajit qershor 2025, në këtë sistem janë shlyer rreth 183 mijë pagesa me një vlerë prej 2,914 milionë eurosh. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, aktiviteti i sistemit AIPS-EURO ka regjistruar një rritje të ndjeshme në numër prej rreth 22%, si dhe një rritje të lehtë në vlerë, me rreth 3%. Rritja e ndjeshme e numrit të transaksioneve dhe nga ana tjetër rënia e vlerës mesatare për transaksion tregon edhe një përdorim më të gjerë të sistemit AIPS-EURO nga publiku në tërësi (konkretisht vlera mesatare për transaksion në gjashtëmujorin e parë 2024 ka shënuar rreth 19 mijë euro dhe në këtë periudhë ka arritur në rreth 16 mijë euro).
Sistemi AIPS-EURO është një mekanizëm shtesë për Bankën e Shqipërisë që jo vetëm mundëson uljen e kostos së individëve dhe subjekteve që kryejnë transaksione pagesash në Euro, por ndihmon në monitorimin e këtij segmenti të tregut dhe në formalizimin e ekonomisë, thuhet në raport.
Kartat dominojnë transaksionet
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, instrumentet e pagesave janë përdorur për të kryer rreth 28 milionë pagesa me një vlerë totale prej 3,474 miliardë lekësh. Kartat e debitit dhe të kreditit përfaqësojnë instrumentin kryesor të përdorur nga klientët e bankave në kryerjen e pagesave dhe shkalla e përdorimit të tyre ka vijuar të zgjerohet.
Gjatë periudhës, për klientët (individë dhe biznese) janë kryer rreth 18.7 milionë pagesa me një vlerë totale prej 117 miliardë lekësh, duke reflektuar një rritje të numrit të transaksioneve me rreth 30%, si dhe një rritje në vlerë me rreth 16% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024. Pagesat me karta zënë 67% të numrit total të pagesave.
Megjithatë, vlera e tyre mbetet ende në nivele më të ulëta krahasuar me vlerën e transaksioneve të transfertave në formë letër dhe digjitale. Paralelisht, gjatë periudhës është regjistruar një rritje me rreth 23% e numrit dhe 16% e vlerës së transfertave të kreditit në formë digjitale (internet banking, mobile banking). /ekofin.al

