Rritja e pagave në korrik të vitit 2024 nga Qeveria në sektorin publik ka dhënë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e pagës mesatare në shkallë vendi. Por ndërsa paga mesatare në shtet ka arritur në rreth 97 mijë lekë në tre-mujorin e tretë të vitit, paga mesatare në sektorin privat jo vetëm që nuk është rritur, por ka pësuar rënie, krahasuar me tre-mujorin e dytë të viti. Kështu në 3-mujorin e tretë, paga mesatare në privat ka zbritur në rreth 70 mijë lekë.
Sipas publikimit të INSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024 ka arritur në 77.669 lekë, duke shënuar një rritje prej 8,6% krahasuar me të njëjtin periudhë të vitit të kaluar.
Aktivitete ekonomike që ofrojnë paga më të larta se paga mesatare kombëtare përfshijnë “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” dhe “Informacioni dhe Komunikacioni”. Këto sektorë vazhdojnë të mbeten ndër më të paguarit në vend, duke ofruar mundësi më të mira për punonjësit në këto fushë.

Në krahasim me vitin e kaluar, grup-aktiviteti “Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale” ka regjistruar rritjen më të madhe të pagës mesatare bruto, me një shtesë prej 14,5%. Ndërsa grup-aktiviteti “Arte, argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi” ka pasur rritjen më të vogël të pagës, prej vetëm 3,8%.
Po ashtu, sipas të dhënave të INSTAT, grupet profesionale të “Manaxherëve, Ligjvënësve, Nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë”, si dhe “Specialistëve me arsim të lartë (profesionistë)”, kanë pagat më të larta në krahasim me pagën mesatare kombëtare, duke theksuar diferencat në pagesat mes grupeve profesionale të ndryshme.

Këto të dhëna pasqyrojnë zhvillimet pozitive në tregun e punës, por edhe theksojnë diferencat sektoriale dhe profesionale në nivelin e pagave në Shqipëri./Ekofin.al
