Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2024, inflacioni u luhat rreth vlerës 2.0%, duke shënuar një rënie të lehtë krahasuar me vlerat e regjistruara gjatë tremujorit të dytë, me ndikim gjithashtu në tregun e punës.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, treguesit e tërthortë sugjerojnë rritje të punësimit dhe bizneset flasin për punësim relativisht të qëndrueshëm gjatë tre muajve të ardhshëm.
Sa u përket pagave në sektorin privat ka vijuar rritja në tremujorin e dytë, por me ritme më të ulëta se më parë. Rritja e tyre zbriti në 6.9%, nga 12.7% një tremujor më parë. Ngadalësimi i normave të rritjes nominale të pagave është pasqyruar edhe në rritjen reale të saj, e cila zbriti në 4.8% në tremujorin e dytë, nga 10% në tremujorin paraardhës.
E njëjta prirje e ngadaltë reflektohet edhe në koston e punës. Ato janë rritur me 2.2%, nga 7.8% në tremujorin e parë të vitit, të diktuara nga rritja e ngadaltë e pagës reale, kundrejt rritjes më të shpejtë të produktivitetit të punës gjatë tremujorit në analizë.
Ndërkohë, rritja e kostove të tjera prodhuese ka vazhduar të ngadalësohet gjatë tremujorit të dytë të vitit. Rritja e indeksit të çmimeve të prodhimit (IÇP) ishte 1.7% nga 2.8% në tremujorin e parë. Presionet rënëse u përcaktuan kryesisht nga ngadalësimi i çmimeve të prodhimit për tregun vendas (2.3% nga 3.5%), ndërkohë që çmimet e prodhimit për eksport u ngadalësuan në mënyrë të moderuar (0.2% nga 0.5%).
Agjentët financiarë dhe bizneset kanë ulur pritjet për inflacionin, ndërsa ato të konsumatorëve kanë mbetur pothuaj të pandryshuara në tremujorin e tretë. Pritjet afatshkurtra të inflacionit të bizneseve kanë rënë në 4.2% kundrejt normës 6.5% të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Ndërsa për konsumatorët niveli 9.2%, është shumë pranë nivelit 9.1% të regjistruar në dy tremujorët e parë të vitit.
Në terma mesatarë, pritjet afatshkurtra të konsumatorëve gjatë vitit 2024 janë rreth 1 pikë përqindjeje më të ulëta se gjatë vitit 2023. /ekofin.al
