Renditja e pagave minimale ndryshon ndjeshëm kur ato përshtaten sipas fuqisë blerëse në disa vende evropiane, sipas të dhënave të korrikut 2026. Inflacioni i lartë godet më fort punonjësit me pagë minimale në vendet ku pagat përditësohen vetëm një herë në vit.
Eurostat ka publikuar pagat minimale për gjysmën e dytë të vitit 2026, duke treguar se vetëm tetë nga 29 vendet evropiane rritën pagën minimale bruto midis janarit dhe korrikut 2026, ndërsa inflacioni i çmimeve të konsumit në eurozonë ishte 3.2% gjatë të njëjtës periudhë gjashtëmujore. Kjo do të thotë se punonjësit me pagë minimale humbën fuqi blerëse reale në disa vende ku inflacioni ishte veçanërisht i lartë.
Cilat vende evropiane paguajnë pagat minimale më të larta sipas të dhënave më të fundit? Dhe si ndryshon renditja kur merret parasysh fuqia blerëse?
Në terma nominalë, Luksemburgu ka pagën minimale mujore bruto më të lartë në Evropë në korrik 2026, me 2,771 euro. Brenda Bashkimit Evropian, paga minimale më e ulët është në Bullgari, me 620 euro. Kur përfshihen edhe vendet kandidate për në BE, Ukraina ka pagën minimale më të ulët, me 169 euro.
Sa i përket shpërndarjes së niveleve të pagës minimale, pesë vende kanë një pagë minimale mujore bruto mbi 2,000 euro. Nëntë vende kanë paga midis 1,000 dhe 2,000 euro, megjithëse shumica janë më pranë kufirit prej 1,000 eurosh, ndërsa vetëm një vend është mbi nivelin 1,500 euro.
Në 15 vende paga minimale mujore bruto është nën 1,000 euro, që do të thotë se më shumë se gjysma e vendeve për të cilat ka të dhëna bëjnë pjesë në këtë grup. Megjithatë, shtatë prej tyre janë vende kandidate për anëtarësim në BE.
Në pesë vendet me pagën minimale mbi 2,000 euro në muaj, përveç Luksemburgut, grupi kryesues përfshin Irlandën – 2,391 euro, Gjermaninë – 2,343 euro, Holandën – 2,338 euro dhe Belgjikën – 2,234 euro. Franca vjen menjëherë pas tyre me 1,867 euro.
Shumica e tyre janë më pranë nivelit prej 1,000 eurosh sesa atij prej 1,500 eurosh.

Në fund të renditjes, Ukraina dhe Moldavia dallohen si raste të veçanta me paga minimale prej 169 euro dhe 313 euro, ndërsa të gjitha vendet e tjera janë mbi nivelin prej 500 eurosh.
Ndërkohë, Malta (994 euro), Estonia (946 euro), Çekia (923 euro), Sllovakia (915 euro) dhe Hungaria (906 euro) janë të gjitha pranë kufirit prej 1,000 eurosh.
Si ndryshon renditja sipas fuqisë blerëse
Renditja sipas Standardit të Fuqisë Blerëse (PPS) ndryshon ndjeshëm krahasuar me renditjen në terma nominalë. Gjithashtu, diferencat midis vendeve bëhen më të vogla.
PPS ofron një krahasim më të drejtë përmes një monedhe artificiale që tregon se çfarë mund të përballojnë realisht qytetarët në secilin vend. Në teori, një njësi PPS mund të blejë të njëjtën sasi mallrash dhe shërbimesh në çdo vend.
Sipas PPS-së, pagat minimale variojnë nga 705 PPS në Shqipëri deri në 2,164 PPS në Gjermani. Nuk ka të dhëna për Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa shifra për Turqinë i referohet korrikut 2025.
Pesë vendet kryesuese janë Gjermania – 2,164 PPS, Luksemburgu – 2,108 PPS, Holanda – 2,023 PPS, Belgjika – 1,922 PPS dhe Irlanda – 1,756 PPS.
Edhe Franca, Sllovenia, Spanja dhe Polonia kanë paga minimale mbi 1,500 PPS.

Brenda BE-së, Estonia ka pagën minimale më të ulët sipas fuqisë blerëse, me 935 PPS, e ndjekur nga Letonia me 938 PPS.
Edhe Turqia dhe Bullgaria mbeten nën nivelin 1,000 PPS.
Disa vende kandidate renditen më mirë se disa shtete anëtare të BE-së sipas PPS-së. Maqedonia e Veriut (1,142 PPS) dhe Serbia (1,094 PPS) lënë pas shtatë vende të BE-së, përfshirë Maltën, Sllovakinë, Hungarinë dhe Çekinë.
Kur krahasohen renditjet nominale me ato sipas PPS-së për 27 vendet, fituesit më të mëdhenj janë Rumania dhe Maqedonia e Veriut.
Rumania ngjitet nga vendi i 20-të në vendin e 12-të, ndërsa Maqedonia e Veriut nga vendi i 24-t në vendin e 16-të, duke fituar nga tetë pozicione secila.
Edhe Serbia (pesë vende më lart), si dhe Kroacia dhe Bullgaria (nga tre vende më lart), shënojnë përmirësime të ndjeshme.
Humbësja më e madhe është Estonia, e cila zbret nga vendi i 16-të në të 26-in. Letonia, Çekia dhe Qiproja humbin gjithashtu nga katër pozicione.
Vetëm tetë vende rritën pagën minimale
Nga 29 vendet, vetëm tetë regjistruan rritje të pagës minimale në monedhën vendase, në terma nominalë, midis janarit dhe korrikut 2026, Maqedonia e Veriut – 6.9%, Rumania – 6.8%, Estonia – 6.8%, Belgjika – 5.8%, Greqia – 4.5%, Luksemburgu – 2.5%, Franca – 2.4% dhe Holanda – 1.9%.
Në të gjitha vendet e tjera, pagat mbetën të pandryshuara. Kjo ndikoi veçanërisht në vendet me inflacion të lartë. Sipas vlerësimeve të Eurostat, inflacioni në eurozonë arriti në 3.2% midis janarit dhe korrikut. Ai ishte 8.2% në Maltë, 5.4% në Qipro dhe 4.7% në Holandë. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
