Të dhënat e Eurostat për gjysmën e parë të vitit 2026 tregojnë se Shqipëria mbetet ndër vendet me pagën minimale më të ulët në Evropë, si në terma nominalë, ashtu edhe sipas fuqisë blerëse. Me një pagë minimale bruto mujore prej rreth 517 euro, Shqipëria renditet pranë fundit të listës, duke lënë pas vetëm disa vende jashtë BE-së si Moldavia dhe Ukraina. Edhe kur llogaritet në standardin PPS, që mat realisht sa mallra dhe shërbime mund të blihen me këtë pagë, niveli i Shqipërisë mbetet shumë i ulët, rreth 708 njësi, çka tregon një hendek të madh me mesataren evropiane.
Në skajin tjetër të renditjes qëndrojnë ekonomitë më të zhvilluara të BE-së. Luksemburgu, Gjermania dhe Irlanda kanë paga minimale mbi 2.300–2.700 euro në muaj, ndërsa edhe sipas PPS ato kalojnë 2.000 njësi, duke reflektuar standard shumë më të lartë jetese për punonjësit me pagë minimale. Edhe vende si Franca, Belgjika dhe Holanda mbeten dukshëm mbi mesataren, me paga minimale që sigurojnë mbulim më të mirë të kostos së jetesës.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria ndodhet gjithashtu në pozicion të pafavorshëm. Serbia ka një pagë minimale rreth 744 euro, Maqedonia eVeriut rreth 586 euro, ndërsa Mali i Zi rreth 670 euro. Edhe Bullgaria, vend anëtar i BE-së me nivel relativisht të ulët të të ardhurave, ka një pagë minimale më të lartë se Shqipëria, rreth 620 euro. Kjo tregon se hendeku nuk është vetëm me Evropën Perëndimore, por edhe me një pjesë të vendeve të Ballkanit.
Dallimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasimi bëhet në terma të fuqisë blerëse. Ndërsa vende si Gjermania, Holanda apo Franca arrijnë mbi 1.600–2.100 PPS, Shqipëria mbetet nën 710, duke reflektuar faktin se paga minimale mbulon shumë më pak shpenzime bazë për ushqim, strehim, energji dhe shërbime. Në praktikë, kjo do të thotë se një punonjës me pagë minimale në Shqipëri përballet me presion shumë më të madh financiar sesa homologët e tij në shumicën e vendeve evropiane.
Në këtë kontekst, të dhënat e vitit 2026 e vendosin Shqipërinë në fund të hartës evropiane të pagës minimale, si në vlerë absolute, ashtu edhe në terma realë. Krahasimi nxjerr në pah nevojën për rritje më të shpejtë të pagës minimale, të shoqëruar me politika që përmirësojnë produktivitetin dhe mbrojtjen sociale, në mënyrë që diferenca me Evropën dhe rajonin të mos thellohet më tej dhe standardi i jetesës për punonjësit me të ardhura të ulëta të përmirësohet gradualisht. /ekofin.al

