Ngadalësohet rritja e kostove në ndërtim në 3-mujorin e tretë të vitit, ndërkohë që kontributin kryesor në rritjen e kostove e ka patur rritja e pagave për punonjësit. Prej vitesh sektori i ndërtimit, ashtu si edhe shumë sektorë të tjerë të ekonomisë po përballet me mungesën e fuqisë punëtore, që ka sjellë edhe rritje të kostove.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instat, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e tretë 2024 arriti 112,3 kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e tretë 2024 është 1,6 %, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 4,2 %, duke reflektuar kështu një ngadalësim të rritjes së kostove të ndërtimit.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 3,2 %, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 3,1 %, “Shpenzime energjie” me 2,9 %, “Kosto të tjera” me 2,0 %, dhe “Shpenzime makinerie” me 1,5 %. Nga ana tjetër grupi “Shpenzime materiale” shënoi ulje me 0,1 %.
Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi uljen më të lartë prej 0,3 %, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 0,1 %. Nga ana tjetër, grupi “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënoi rritje prej 0,2 %.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje me 0,1 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2024. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime për paga” me 0,7 %, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 0,6 %, “Shpenzime makinerie” me 0,3 %. Nga ana tjetër ulje ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0,3 %. /ekofin.al



