Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri vijon trendin rritës, duke arritur në 90.119 lekë gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, paga mesatare është rritur me 9.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke reflektuar presionet në tregun e punës, rritjen e pagës minimale dhe konkurrencën më të fortë për fuqinë punëtore.
Sektori financiar dhe ai i sigurimeve mbetet aktiviteti ekonomik me pagat më të larta në vend. Punonjësit në këtë sektor përfituan mesatarisht 157.434 lekë në muaj, ndërsa sektori i informacionit dhe komunikacionit renditet i dyti me 131.747 lekë. Të dy këta sektorë vijojnë të qëndrojnë ndjeshëm mbi mesataren kombëtare të pagave.
Nga ana tjetër, ritmi më i shpejtë i rritjes së pagave është regjistruar në sektorin e ndërtimit, ku paga mesatare është rritur me 22.2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025. Ky zhvillim vjen në një kohë kur ndërtimi mbetet një nga sektorët më aktivë të ekonomisë shqiptare, i mbështetur nga investimet në pasuri të paluajtshme, infrastrukturë dhe turizëm. Rritja më e ulët është regjistruar në aktivitetet e arteve, argëtimit, çlodhjes dhe shërbimeve të tjera, me vetëm 5.5%.
Sipas profesioneve, pagat më të larta vijojnë të përfitohen nga menaxherët, ligjvënësit dhe drejtorët ekzekutivë, me një pagë mesatare prej 136.213 lekësh në muaj. Në vendin e dytë renditen specialistët me arsim të lartë, të cilët paguhen mesatarisht 116.074 lekë. Ndërkohë, rritjet më të forta të pagave janë regjistruar te zejtarët, artizanët dhe profesionet e lidhura me to, me 15.7%, si dhe te punëtorët e profesioneve elementare, me 15.3%.

Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu një ndryshim të dukshëm në shpërndarjen e pagave. Në tremujorin e parë të vitit 2026 është rritur ndjeshëm numri i punonjësve që deklarohen me pagë minimale, pas vendimit të qeverisë për ta rritur atë nga 40 mijë në 50 mijë lekë duke filluar nga 1 janari 2026. Paralelisht është rritur edhe pesha e të punësuarve me paga mbi 120 mijë lekë në muaj, duke treguar një përqendrim më të madh të punësimit në skajet e shpërndarjes së pagave.
Shifrat sugjerojnë se tregu shqiptar i punës po vazhdon të përballet me mungesën e fuqisë punëtore në disa sektorë, çka po ushtron presion mbi bizneset për të ofruar paga më të larta. Megjithatë, diferencat mes sektorëve mbeten të konsiderueshme, duke evidentuar hendekun mes aktiviteteve me vlerë të lartë të shtuar, si financa dhe teknologjia, dhe sektorëve tradicionalë të ekonomisë. /ekofin.al

