Paga mesatare mujore në sektorin shtetëror në vitin 2021 arriti në 68,508 lekë. Ky nivel është 24 % më i lartë se paga mesatare mujore në sektorin privat, e cila vitin e kaluar ishte 51,858 lekë, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Hendeku ndërmjet pagës mesatare në shtet dhe privat është thelluar vitet e fundit. Ky tregues në vitin 2016 ishte 20%, ndërsa tashmë ka arritur në 24%. Edhe në vendet e tjera europiane ka diferenca mes pagës në sektor publik dhe asaj në privat, por ato janë shumë më të vogla, kryesisht në masën 8-10%.
Përpara viteve 2012-2013, raporti i pagës mesatare në sektorin publik dhe atë privat ishte më i vogël, por ai ka ardhur duke u thelluar, me një rritje të ndjeshme, sidomos në vitet e fundit.
Arsyet për këtë diferencë janë disa, por një nga më kryesoret është informaliteti. Sektori privat në Shqipëri ka tendencën të shmangë taksat, duke funksionuar në disa raste me dy bordero për pagat, ndërkohë që në sektorin publik pagat deklarohen gjithmonë ashtu siç janë.