Biznesmeni Behgjet Pacolli, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, tha se ka dy rrugë sesi mund të veprojë tashmë, pasi çështja e Aeroportit të Vlorës ka shkuar në gjykatë.
Ai deklaroi se nëse Aeroporti i Vlorës hapet në këtë fazë kur punimet janë paralizuar prej më shumë se gjashtë muajsh, ka rrezik që të jetë i pasigurt.
Pacolli u shpreh se për nisjen e duhur të punës në një aeroport të ri nevojiten certifikime të caktuara dhe se pasiguria ka lidhje me standardin.
“Nëse janë të paralizuara punët, siç ka ndodhur që nga 1 shtatori, do te jetë një aeroport i pasigurt. Administratori i zgjedhur është nga aksioneri 2% i kompanisë. Nëse ai merr vendim, aeroporti duhet certifikuar. Pra ka lidhje me standardin. Për ta regjistruar, duhet një dokument noterial. Ka pasur një grup kriminal që ka falsifikuar dokumentet e gjyqësorit. Firmën time e kanë falsifikuar. Nuk e di kush është”,-tha Pacolli.
Ai tha gjithashtu se nëse sheh se vendimet e gjykatave shqiptare nuk janë të drejta, mund të drejtohet në Arbitrazh Ndërkombëtar dhe të kërkojë dëmshpërblim. Pacolli deklaroi se si dëmshpërblim mund të kërkojë shuma deri në 250 milionë euro.
Behgjet Pacolli: Do shkoj në Arbitrazh ndërkombëtar për vendimet e gjykatave tona, nëse vendimet nuk janë të drejta. Gjykata është e nxituar, sepse nuk është e bazuar në drejtësi. Një mundësi për ta zgjidhur problemin është me akordin bilateral zviceran dhe e dyta është Aerbitrazhi ndërkombëtar. 247 mln duhet të më kthehen. Unë arbitrazh gjatë jetës time kam pasur me qeverinë e Kosovës dhe kam fituar 7 milionë euro, po unë ua kam falur.
Nëse shkoj në Arbitrazh, dëmi do jetë i madh. Nesër po të ma japin lejen, e ndërtoj për 2 muaj aeroportin. Sa i përket ortakëve, nuk kam si të merrem vesh me palën tjetër. Kjo që ka ndodhur duhet të mos ndodhte. Ish-bashkëpunëtori im Valon Lluka më ka vjedhur vazhdimisht, 30 mijë euro në muaj më ka vjedhur dhe e kam denoncuar në Kosovë./Tv Klan
