OTP Bank Albania e ka mbyllur vitin 2024 me një tjetër rekord, duke shënuar rritjen më të madhe të fitimeve në nivel grupi.
Referuar të dhënave të vitit financiar 2024, të publikuara nga grupi i madh bankar hungarez, OTP Bank Albania gjeneroi fitime prej 20 miliardë Forinta (+70% rritja vjetore me HUF, +50% me monedhën vendase lekë), përfshirë këtu një fitim prej 4.6 miliardë HUF në 3-mujorin e katërt.
Në vitin 2024, treguesi kryesor i profitabilitetit të bankës, RoE, e tejkaloi shifrën 20%. Në fund të vitit 2024, market-share i bankës sa i përket volumit të kredive neto u rrit mbi 13%, duke e pozicionuar OTP Bank Albania si kredituesin e tretë më të madh në Shqipëri.
Kostot operacionale në vitin 2024 shënuan një rënie me 22% në monedhën vendase, duke sjellë një përmirësim të ndjeshëm të treguesit të eficiencës së kostove bankare me 16.3 pikë përqindje, krahasuar me vitin e mëparshëm. Në përmirësimin e këtij raporti kanë ndikuat edhe procedurat për integrimin e plotë të Alpha Bank, të cilat u realizuan deri në fund të dhjetorit 2023.
Ulja e kostove operacionale e zbriti në 42.2% treguesin e kostove përkundrejt fitimeve, nga 58.5% që ishte në vitin 2023. Fitimet vjetore të bankës u rritën si rezultat i rënies me 13% të kostove operative dhe rritjes me 21% të të ardhurave të përgjithshme. Gjatë vitit, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 20%, të ardhurat nga komisionet u rritën me 22%, ndërsa të ardhurat e tjera me 30%. Rritja e të ardhurave nga interesat i atribuohet kryesisht rritjes së portofolit të kredisë, por edhe vëllimit të depozitave.
Në anën tjetër, banka po vijon me investimet dhe zgjerimin e rrjetit të saj te bizneset. Dëshmi e kësaj është edhe dyfishimi i POS-ve, pikave të shitjes, ose terminalet e pagesave me kartë te bizneset. Referuar shifrave, në vitin 2023, banka kishte 988 POS-e të shpërndara te bizneset, ndërsa në fund të vitit 2024, numri i tyre arriti në 2,046. /ekofin.al

