Një hap i rëndësishëm drejt transformimit digjital të ekonomisë shqiptare dhe minimizimit të pagesave cash është ndërmarrë nga OTP Bank Albania dhe Master Card, të cilët kanë lançuar zyrtarisht Programin POSÍ, pjesë e Programit Kombëtar për Përshpejtimin e Pagesave Elektronike, i cili u prezantua në një event të zhvilluar në Tiranë disa javë më parë.
Programi i ri, që synon të përfshijë bizneset e vogla dhe të mesme, ofron një paketë tërheqëse për digjitalizimin e pagesave, përmes shpërndarjes së pajisjeve POS falas për 12 muaj dhe 0% komision për pagesat me kartë, për transaksione brenda kufijve të caktuar vjetorë.
“Ne besojmë se teknologjia financiare nuk është vetëm një mundësi, por një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik,” u shpreh z. Bledar Shella, Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank Albania, gjatë eventit prezantues.
Kush mund të përfitojë nga programi POSÍ?
Programi u drejtohet bizneseve të vogla dhe të mesme (SME), të cilët mund të përfitojnë terminalin POS falas për 12 muaj dhe 0% komision për transaksionet me kartë me një limit vjetor transaksionesh, sipas kategorive më poshtë:
• Bizneset në sektorët: Dyqane ushqimore, Hotele, Restorante & Kafene, Taksi;
• Tregtarët që nuk kanë pasur më parë pajisje POS;
• Tregtarët me dyqane fizike.
Në varësi të sektorit, kufijtë vjetorë të transaksioneve variojnë nga 2,000 euro për shërbimet taksi, deri në 24,000 euro për sektorin e hotelerisë.
Kushte fleksibël dhe përfitime reale
Programi do të jetë aktiv deri në prill të vitit 2026, me një kusht të vetëm pjesëmarrjeje: të realizohen të paktën katër transaksione me kartë Master Card çdo tre muaj.
Ky është një shembull i qartë se si një bankë mund të jetë mbështetëse reale për zhvillimin e biznesit të vogël dhe të mesëm, jo vetëm përmes kreditimit. OTP Bank Albania, tashmë me mbi 2,500 pajisje POS aktive, renditet ndër tre bankat e para me shtrirje më të gjerë në këtë drejtim.
Banka OTP Albania është pjesë e Grupit OTP, një nga grupet bankare me rritjen më të shpejtë dhe ndër më të rëndësishmet në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore, me përfitueshmëri të lartë dhe pozicion të qëndrueshëm në kapital dhe likuiditet me shërbime financiare universale, për 17 milionë klientë. Grupi ka realizuar dhe integruar me sukses 25 blerje bankash, që nga fillimi i viteve 2000. Grupi OTP ka selinë në Hungari dhe një strukturë pronësie të diversifikuar dhe transparente. Grupi bankar është i listuar në Bursën e Budapestit, që nga viti 1995.
