Një investim risi pritet të ndodhë në fushën e energjisë. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka hapur tenderin për ndërtimin e nënstacionit të parë nëntokësor elektrik në Shqipëri. Tenderi është hapur për llogari të Operatortit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, si pjesë e kredisë 70 mln euro të marrë disa vite më parë për reagimin ndaj krizës së shkaktur nga COVID-19.
Nënstacioni elektrike 110/20kV do të pozicionohet pranë sheshit Skënderbej, në Tiranë, ndërsa projekti parashikon përdorimin e teknologjisë me gaz për pajisjet që do të kryejnë kontrollin, mbrojtjen dhe izolimin e sistemeve të energjisë në këtë nënstacion.
Hapja e këtij tenderi vjen pas atij të zhvilluar më herët nga BERZH për ofrimin e asitencës teknike në lidhje me përgatitjen e dizajnit të detajuar, dokumentet dhe kërkesat e tenderit, mbështetjen e prokurimit, mbikëqyrjen e zbatimit të projektit, etj.
Sipas kontratës parashikohet që punimet të përfundojnë në mars të vitit 2026.
